U vranë mbi 8000 njerëz, BE thirrje mos të mohohet gjenocidi në Srebrenicë

by Merita

Bashkimi Evropian i ka përsëritur thirrjet të premten që të mos mohohet gjenocidi në Srebrenicë, në një kohë kur është duke u diskutuar një draft-rezolutë në Kombet e Bashkuara për ta shpallur 11 korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Kujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë.

Paralajmërimi i debatit dhe miratimit të mundshëm të draft-rezolutës në Nju Jork në fillim të majit, ka nxitur shumë reagime në Serbi dhe nga politikanët serbë në vendet e tjera të rajonit.

banner

Zëdhënës i BE-së, Peter Stano, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se në Evropë “nuk ka vend” për mohimin e gjenocidit, e as për “revizionizëm dhe glorifikimin e kriminelëve në luftës”.

Më shumë se 8.000 burra dhe djem boshnjakë u vranë më 1995 në Srebrenicë nga Ushtria e Republikës Sërpska. Masakra e Srebrenicës është cilësuar si më e rënda në Evropë prej Luftës së Dytë Botërore.

“Në Bosnje e Hercegovinë dhe në rajon ka ende tendencë për të mohuar gjenocidin në Srebrenicë. BE-ja refuzon çdo mohim, relativizëm, apo keqinterpretim të gjenocidin në Srebrenicë. Gjenocidi është gjenocid dhe ashtu edhe duhet të quhet”, tha Stano.

Parlamenti i Republikës Sërpska në Bosnjë e Hercegovinë e miratoi të enjten një raport, i cili thekson se vrasja e 8.000 myslimanëve në Srebrenicë gjatë luftës së Bosnjës, nuk përbën gjenocid.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha javën e kaluar se Serbia do të luftojë kundër miratimit të kësaj rezolute në OKB, e cila do t’i fajësonte serbët.

Stano u bëri thirrje liderëve politikë në Bosnje e Hercegovinë “të jenë në krye të rrugës që respekton viktimat dhe promovon pajtimin”.

Ai nënvizoi se “nuk është çështje e opinionit” se a është kryer gjenocid në Srebrenicë, por është “fakt historik i vërtetuar ligjërisht” nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë më 2004 dhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë më 2007.

Presidenti nacionalist i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, tha para ligjvënësve të enjten se “nuk ka ndodhur gjenocid, prandaj një cilësim i tillë duket të hidhet poshtë”.

“Serbët nuk kanë kryer gjenocid”, shtoi ai.

Stano ishte i ashpër edhe me thirrjet e vazhdueshme të Dodikut për shkëputjen e Republikës Sërpska nga Bosnja e Hercegovina.

“Uniteti, integriteti territorial dhe sovraniteti i Bosnje e Hercegovinës nuk mund të vihet në pikëpyetje. Idetë dhe veprimet ndarëse vetëm sa do t’i izolojnë autorët e tyre më shumë dhe të sjellin më shumë probleme për qytetarët duke i mbajtur ata peng të tyre”, tha Stani duke rikujtuar se BE-ja ka në duart e saj edhe kornizën për vendosjen e sanksioneve ndaj atyre që e rrezikojnë integritetin territorial të Bosnje e Hercegovinës./Rel/

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy