Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ajo do ta përfaqësojë vendin në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në seancën e cila do të mbahet të hënën.
“Në seancën e KSKB-së, Presidentja Osmani pritet të flasë për progresin, zbatimin e reformave, të drejtat e njeriut, demokracinë, sundimin e ligjit si dhe fusha të tjera me rëndësi për Kosovën. Presidentja poashtu do të flasë për domosdoshmërinë për drejtësi për krimet e kryera nga Serbia në Kosovë”, njofton Presidenca e Kosovës.
Përgjatë qëndrimit në New York, Presidentja Osmani pritet të takohet e koordinohet me disa nga përfaqësuesit e përhershëm të shteteve mike në Kombe të Bashkuara.
Takimi i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Kosovën do të mbahet të hënën në ora 16:00, sipas kohës lokale të Kosovës.