Shumë sfida për organizimin e votimit për shkarkimin e kryetarëve në katër komunat veriore

by engel

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në mbledhjen e mbajtur sot, ka folur për procesin e votimit nesër ku do të votohet për largimin ose jo të katër kryetarëve në komunat veriore.

KQZ-ja bëri të ditur se në katër komunat veriore, në listën votuese janë 46 556 njerëz, apo 1 461 më shumë krahasuar me zgjedhjet e 23 prillit të vitit 2023. Më 3 prill, KQZ-ja ka miratuar qendrat e votimit, ku kanë qenë 43, por pas raportimeve të Sekretariatit të KQZ-së u bë e ditur se nga 43 qendra, 33 prej tyre, që janë shkolla, drejtorët kanë refuzuar dhënien e tyre në përdorim për procesin e votimit.

banner

Sipas Sekretarit të KQZ-së, Burim Ahmetaj, bëhet e ditur se pas refuzimit të drejtorëve të shkollave, numri total i qendrave të votimit është 23, ndërsa janë 63 vendvotime dhe katër qendra të votimit me kusht.

“Më datën 3 prill, KQZ kishte miratuar qendrat e votimit dhe ishin 43 qendra të planifikuara për procesin e votimit.

Më 17 prill sekretariati njoftoi për vështërsi në qasjen e 33 qendra nga 43 të cilat janë shkolla dhe i përkasin objekteve publike komunale në komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan, Mitrovicë e Veriut.

Meqenëse drejtorët e këtyre shkollave kanë refuzuar për t’iu dhënë në shfrytëzim në përdorim në procesin e votimit, si zgjidhje alternative ka filluar identifikimi dhe gjetja e lokacioneve tjera që do të shërbejnë si qendra të votimit më datën 21 prill.

Në kuadër të këtyre janë identifikuar lokacionet për qendra të votimit nga KQZ dhe nga raporti rezulton se për shkak të hapësirave të ngushta janë 7 qendra të votimit, të cilat do të menaxhohet nga një trup i vetëm i anëtarit të këshillit të vendvotimit… Jemi në procesin ku do të bëhet edhe transportimi i materialeve zgjedhor në qendra të votimit ku pritet të fillojë nesër në mëngjes, pra procesi votimit në orën 7:00,” tha Ahmetaj.

Votimet në Mitrovicën e Veriut do të mbahen në shkollën fillore “Aziz Sylejmani” në Suhodoll, objektin e komunës Lagjja e Boshnjakëve, SHFMU “Aziz Sylejamni” – Kodra e Minatorëve, International Business College Mitrovica -IBCM dhe ish-objekti komunal.

Në Zubin Potok qendrat e votimit janë të vendosura në objektin e komunës, objektin publik Mala Jabuka (Molla e vogël), Tek Ura e Bubës, Bërnjak dhe në shkollën fillore “Osman Rama” në Çabër.

Në Leposaviq mund të votohet në objektin komunal, objektin komunal në Soqanicë, objektin privat në Rëvatskë, objektin shtetëror në Dren, objektin e Ndërmarrjes Shoqërore Univerzal në Leshak, Koshtovë, objektin privat afër stacionit të autobusëve në Leposaviq dhe në shkollën fillore “Kadri Bistrica” në Bistricë.

Ndërsa në Zveçan do të votohet në objektin komunal, SHFMU “Isa Boletini” në Zhazhë, SHFMU “Isa Boletini” në Lipë, Rasja Banja në Banjskë dhe në objektin komunal në Zhitkovc.

Votimi organizohet në bazë të udhëzimit administrativ nga Qeveria e Kosovës, pas presionit të ndërkombëtareve për shpalljen e zgjedhjeve të reja në komunat në veri.

Ndryshe, në rast mos shkarkimi kryetarët shqiptarë të katër komunave me shumicë serbe në veri do t’i sigurojnë vetes së paku një vit qeverisje të sigurt, pasi partitë serbe u kanë bërë thirrje serbëve lokalë të bojkotojnë procesin e votimit.

Kryetarët shqiptarë morën pushtetin, pasi Lista Serbe u bëri thirrje qytetarëve t’i bojkotojnë zgjedhjet e prillit 2023, të cilat u organizuan pas largimit të serbëve nga institucionet e Kosovës në nëntor 2022 me iniciativën e Listës Serbe.

Ndërkohë Lista Serbe kërkoi zgjedhje të reja, mbështeti peticionin e qytetarëve për shkarkimin e kryetarëve, por më 7 prill njoftoi se nuk do të merr pjesë në votim, duke përmendur si arsye listën e vjetruar të votuesve.

Sipas udhëzimeve të publikuara, qytetarët mund të përgjigjen me “po” ose “jo” në pyetjen se a pajtohen që kryetari i njërës prej katër komunave në veri të shkarkohet. Qendrat e votimit do të jenë të hapura nga ora 07:00 deri në 19:00.

KQZ ende nuk ka publikuar orën e publikimit të rezultateve preliminare për fatin e kryetarëve në veri, ndërkohë që gjatë ditës do të mbajë katër konferenca për media për të informuar mbi mbarëvajtjen e procesit të votimit./KP

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy