Ka dështuar iniciativa për shkarkimin e kryetarëve në katër komunat veriore, pasi shumica e votuesve kanë refuzuar të merrnin pjesë në procesin e votimit.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Beogradi përmes Listës Serbe ka bërë presion te serbët lokalë që të bojkotojnë procesin.
Me këtë akt, Osmani thotë se presidenti serb Aleksandër Vuçiq shkeli fjalën që ua kishte dhënë partnerëve ndërkombëtarë.
“Kosova i dha qytetarëve të komunave të veriut mundësinë që t’i largojnë kryetarët aktualë dhe t’i zgjedhin kryetarët e rinj. Qytetarët në masë të madhe nuk e shfrytëzuan këtë mundësi. Për fat të keq, kjo kryesisht ndodhi për shkak të presionit të Beogradit, të ekzekutuar nga Lista Serbe dhe strukturat ilegale kriminale. Edhe njëherë, Serbia kreu ndërhyrje të paligjshme në një proces zgjedhor të një shteti tjetër. Edhe njëherë, Vuqiçi shkeli fjalën që ua kishte dhënë partnerëve ndërkombëtarë”.
“Por, Kosova sërish dëshmoi maturi, organizim e respektim të plotë të ligjeve e kushtetutës, duke ju ofruar të gjitha komuniteteve, pa dallim, mundësinë që ata të zgjedhin vetë se kush dëshirojnë t’i përfaqësojë. E falënderoj Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, institucionet tona të sigurisë si dhe partnerët tanë për punën, përkushtimin dhe bashkëpunimin. Me organizimin e procesit të sotëm, Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara nga BE-ja. Masat e padrejta kundër Kosovës duhet të hiqen menjëherë”, thuhet në komunikatë.