Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka konfirmuar iniciativa qytetare për largimin e kryetarëve të komunave Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut ka dështuar.
Këtë për Klankosova.tv e ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi i cili bëri të ditur se deri tek ky konstatim kanë ardhur duke u mbështetur në të dhënat e daljes së votuesve në këtë proces, ku nuk kanë votuar shumica e votuesve të regjistruar siç kërkohet me nenin 72 të Ligjit për Vetëqeversjen Lokale në Republikën e Kosovës, pra nuk është arritur 50% i domosdoshëm.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka bërë gjithashtu të ditur se siç thuhet në deklaratë, përkundër sfidave, është angazhuar maksimalisht dhe ka ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për të organizuar procesin e votimit në këto komuna.
KQZ: Në veri votuan gjithsej 253 qytetarë, në Zveçan asnjë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se duke u mbështur në të dhënat nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve, 23 Qendrat e Votimit janë mbyllur në orën 19:00.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi bëri të ditur se numri i qytetarëve që kanë votuar në procesin e votimit për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni i tyre, është gjithsej 253.
Në komunën e Zveçanit nuk ka pasur asnjë votues gjatë këtij procesi votimi, në Leposaviq 124, në Zubin Potok 18 dhe në Mitrovicë të Veriut 111.