Kryetari aktual i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, ka thënë se është “shumë i vogël” numri i qytetarëve që kanë dalë për të votuar për ose kundër shkarkimit të tij nga posti i kryetarit.
Ai në një prononcim për Gazetën Express tha se deri tash, sipas informacioneve që ka, kanë dalë 2 ose 3 persona.
“Numër shumë i vogël, simbolik. Në bazë të informacioneve që kam, 2-3 persona kanë dalë, mirëpo nuk ka përgjigje masovike të qytetarëve. Vendvotimet janë të hapura. Përgjigja e qytetarëve është shumë e vogël”, tha ai.
Zeqiri tha se kjo “përgjigje e vogël” e qytetarëve është për shkak se vullneti i tyre është që të mos e shkarkojnë atë dhe jo sepse Lista Serbe ka bërë thirrje për bojkot.
Ai tha se Lista Serbe e din se ku është në raport me qytetarin.
“Unë besoj që nuk po dojnë me na shkarku, dmth vullneti i qytetarëve është për mos me na shkarku. Qytetarët nuk i binden Listës Serbe. Lista Serbe e din se ku është me votën, në raport me qytetarin”, tha Zeqiri.
Gazeta Express ka tentuar të kontaktojë edhe me kryetarët tjerë në Veri – Erden Atiq, Lulzim Hetemin dhe Ilir Pecin- por të njëjtit nuk i janë përgjigjur telefonatave të redaksisë.