“Lironi Sadik Durakun nga burgimi i paligjshëm”. Kjo është thirrja që po bëhet përmes një peticioni të që e ka nisur familja e kosovarit që u arrestua të mërkurën nga autoristetet serbe në vendkalimin kufirar Kroaci-Serbi në Batrovci.
Durakut, i cili jetonte në Brighton dhe ka nënshtetësi britanike, një gjykatë serbe të premten vonë ia caktoi një muaji paraburgim për dyshimet se “ka kryer krime lufte”.
Suzana Duraku, vajza e tij, në peticionin e nisur ka kërkuar ndihmën e Mbretërisë së Bashkuar për lirimin e babait të saj, .
“Ai mbahet me pretendime të rrejshme se ka qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, në vitin 1999, pretendimet e tyre thonë se ka kryer krime lufte gjatë kohës së supozuar në vitin 1999”, shkruhet në peticion, ku thuhet se ai në në vitin 1998 së bashku me familjen kërkonte azil në Mbretërinë e Bashkuar.
“Procesi i azilit do të thotë se ne nuk mund të largoheshim nga MB deri në vitin 2004”, shkruan vajza.
Në këtë moment kritik, familja e Sadik Durakut po kërkon “prova të prekshme për t’ hedhur poshtë këto akuza të pabaza” dhe thonë se kanë nevojë për mbështetje me sigurimin e një vëzhguesi në Serbi për të garantuar procedura të drejta dhe sigurinë e tij në brug.
“Prandaj, dokumentimi i kërkesave tona për azil dhe lëvizjeve brenda MB nga viti 1998 deri në 1999 është jetik. Zyra e Brendshme Britanike duhet ta ketë këtë informacion dhe, së bashku me Ambasadën Britanike, duhet të jetë në gjendje ta angazhojë një vëzhgues”, thuhet në peticion.
“Ajo që na duhet gjithashtu është presioni nga MB për ta liruar babanë tim”, shkruan Suzana Duraku.
Për Sadik Durakun, vajza e tij tregon se është “i sëmurë me sëmundje të zemrës”.
“Ai pati një sulm në zemër në vitin 2021 dhe pësoi një arrest kardiak. Edhe sot e kësaj dite, ai vuan nga ky sulm në zemër dhe ka një valvul që rrjedh dhe presion të lartë të gjakut. Shqetësohemi se stresi dhe kushtet do ta përkeqësojnë gjendjen e tij”, shkruan familja në peticionin e nisur
Familja është e frikësuar se çfarë do të ndodhë me familjarin e tyre, ndërsa kërkon të ushtrohet presion mbi qeverinë që “të ndërhyjë për të garantuar sigurinë e tij gjatë kohës që ai është dhe të ndihmojë për ta sjellë atë në shtëpi”.
“Nënshkruajeni këtë peticion. Ndani thirrjen tonë në qarqet dhe platformat tuaja sociale, duke etiketuar Peter Kyle, Ambasadën Britanike dhe Zyrën e Brendshme të Mbretërisë së Bashkuar. Çdo nënshkrim dhe pak ndërgjegjësim që mund ta ngremë ndihmon”, shkruan ndër tjerash familja e tij.
Në orët e para të së mërkurës Serbia i ndaloi dhjetëra autobusë me rreth 1.500 kosovarë për më shumë se 20 orë në pikat kufitare të saj me Kroacinë dhe Hungarinë