Lautaro Martinez u përlot pasi bëri histori me fitimin e “Scudettos” si kapiten i Interit në “Derby della Madonnina”.
Interi triumfoi sonte ndaj Milanit me rezultatin 1:2, për të siguruar edhe matematikisht titullin e kampionit në Serie A për sezonin 2023/24, shkruan Gazeta Express.
Për “Nerazzurrët” është ky titulli i 20-të i kampionit në histori të klubit.
“Tani më vjen të qaj sepse kemi punuar shumë, kemi vuajtur kaq shumë, e kemi merituar këtë gëzim. Ia dedikoj familjes sime në Argjentinë, fëmijëve të mi, shokëve të skuadrës dhe të gjithë tifozëve”, tha Lautaro Martinez për “DAZN” pas ndeshjes
“Në futboll mund të fitosh dhe të humbësh, por ndihem dyfish i lumtur. U thashë djemve, ne ishim në një situatë që nuk kishte ndodhur kurrë më parë, ne duhej ta shfrytëzonim sa më shumë këtë mundësi për të fituar në një stadium ‘kuqezi’”, shtoi ai.
Është “Scudetto” i dytë i argjentinasit në Inter, por i pari si kapiten i skuadrës.
“Kjo do të thotë shumë, sepse ta çosh këtë klub të madh drejt titullit me një grup të jashtëzakonshëm bashkëlojtarësh, është gjithçka. E gjithë kjo është për fansat, për familjet tona, drejtorët, stafin, të gjithë ata që punojnë pranë nesh. Ishte e mrekullueshme, ne duhet të vazhdojmë në këtë rrugë, sepse tashmë kemi fituar shumë trofe dhe duam shumë të tjera”, vazhdoi 26-vjeçari.
Lautaro Martinez ende nuk ka nënshkruar kontratë të re me Interin, por shumë herë ka thënë se kjo është ajo që dëshiron.
“Shpresoj se po, ne duhet të arrijmë një marrëveshje me klubin. Sot dua ta shijoj këtë ‘Scudetto’, ne kemi punuar shumë që nga parasezoni në Japoni, kemi ndryshuar 12 lojtarë, kemi bërë histori. Festa nuk do të përfundojë sonte”, deklaroi kapiteni i Interit.