Në një rast të pashembullt në historinë e Shteteve të Bashkuara avokatët që përfaqësojnë ish Presidentin Donald Trump do të përpiqen të enjten të bindin Gjykatën e Lartë se klienti i tyre ka imunitet nga ndjekja penale për akte që dyshohet se i ka kryer ndërsa ushtronte detyrën më të lartë shtetërore.
Vendimi i Gjykatës së Lartë do të ketë një rëndësi të jashtëzakonshme. Zoti Trump pritet të sigurojë emërimin e Partisë Republikane për zgjedhjet presidenciale të nëntorit. Ai po këmbëngul në pretendimet se gëzon imunitet presidencial lidhur me akuzat se kur ishte president, komplotoi për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020, të cilat i humbi përballë Presidentit Biden.
Gjyqi lidhur me këto akuza është pezulluar në pritje të vendimit të Gjykatës së Lartë mbi pretendimet e zotit Trump për imunitet. Dhënia e shpejtë e vendimit mund t’i hapte udhë fillimit të gjyqit përpara zgjedhjeve presidenciale të nëntorit, ndërsa vonesa do të nënkuptonte se gjyqi mund të mos zhvillohej fare. Nëse zoti Trump do të fitonte në zgjedhjet e nëntorit dhe vendimi për çështjen nuk do të ishte dhënë deri në marrjen e detyrës nga ana e tij në janar, ekziston mundësia që ai të udhëzojë Departamentin e Drejtësisë që të pushojë akuzat.
Akuzat e prokurorit të posaçëm
Çështja në Gjykatën e Lartë e ka zanafillën tek akuzat që u ngritën vitin e kaluar nga prokurori i posaçëm Jack Smith, i emëruar nga Departamenti i Drejtësisë. Pjesë e detyrës së zotit Smith ishte kryerja e një hetimi të pavarur mbi veprimet e ish-presidentit në periudhën mes zgjedhjeve të nëntorit të 2020 dhe sulmit të 6 janarit 2021 ndaj Kapitolit, në të cilin përkrahësit e zotit Trump u përpoqën të pengonin certifikimin e fitores së demokratit Joe Biden.
Sipas padisë për 4 vepra penale të bëra publike në gusht të vitit 2023, prokurori Smith e akuzoi zotin Trump për komplot kundër Shteteve të Bashkuara, komplot dhe përpjekje për të penguar një precedurë zyrtare dhe përpjekje për të ushtruar trysni ndaj zyrtarëve publikë për ta ndihmuar atë të përmbyste rezultatin e zgjedhjeve presidenciale.
Mes të tjerash, padia citon përpjekjet e zotit Trump dhe këshilltarëve të tjerë që anëtarëve të Kongresit t’i paraqiteshin rezultate të rreme të zgjedhjeve të disa shteteve dhe përpjekjet për të ushtruar trysni ndaj zyrtarëve elektorale në nivel shtetëror për të falsifikuar të dhënat. Po ashtu, përmendet se zoti Trump nxiti përkrahësit e tij që të shkonin në Kapitol në 6 janar.
Çështja po shqyrtohet nga një gjykatë qarku në Uashington, por është shtyrë disa herë për shkak të ankimimeve të zotit Trump se ai duhet të ketë imunitet. Ish Presidenti i është drejtuar gjykatave të apelit që të shprehen mbi imunitetin e tij, duke pohuar se një vendim në favor të tij, do t’i rrëzonte proceset që po zhvillohen ndaj tij në gjykatat e shkallëve më të ulëta.
Suksesi i apelimeve
Ish Presidenti Trump ka pohuar në mënyrë të vazhdueshme se gëzon imunitet presidencial nga hetimi që shtrihet mbi akte antiligjore që ka ndërmarrë gjatë kohës që ishte në detyrë. Ai ka përdorur platformën e tij sociale, ‘Truth Social’, duke shkruar me gërma të mëdha se “PA IMUNITET PRESIDENCIAL DO TË ISHTE E PAMUNDUR QË NJË PRESIDENT TË USHTRONTE SIÇ DUHET FUNKSIONET E TIJ, DUKE I VËNË SHTETET E BASHKUARA PËRBALLË NJË RREZIKU TË MADH DHE TË PËRHERSHËM”.
Në argumentet para gjykatës së Apelit, avokatët e zotit Trump dhanë shembuj mbi shtrirjen e gjerë të pretendimeve të ish-presidentit, duke pohuar se edhe në rast se, si president, ai do të urdhëronte ushtrinë e Shteteve të Bashkuara që të vriste një nga kundërshtarët e tij politik, ai nuk mund të ndiqej penalisht nëse më parë ndaj tij nuk do të ishin ngritur akuza nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe nuk do të ishte shpallur fajtor nga Senati.
Në shkurt, anëtarët e Gjykatës së Apelit me vendim unanim i hodhën poshtë pretendimet e ish Presidentit se ai gëzon “imunitet absolut” mbi veprimet që ka kryer ndërsa ishte në ushtrim të detyrës.
Zoti Trump e apeloi vendimin në Gjykatën e Lartë, e cila në fund të shkurtit njoftoi se do ta merrte çështjen në shqyrtim. Gjykata e Lartë rrëzoi kërkesën e prokurorisë për të dëgjuar me procedure të përshpejtuar argumentet, duke e caktuar shqyrtimin e çështjes për në 25 prill.
Nuk dihet se sa kohë mund t’i duhet gjykatës për të dhënë vendimin, ndërsa ekziston mundësia për një vendim të shpejtë, tradicionalisht, gjykatës i duhen disa muaj për të hartuar vendimin e saj.
Vonesat shkaktojnë shqetësim
Vendimi i Gjykatës së Lartë për të marrë në shqyrtim çështjen dhe mospranimi nga ana e saj për të vepruar me procedure të përshpejtuar kanë qenë objekt i kritikave të shumta, duke patur parasysh se Apeli e dha vendimin në mënyrë unanime si dhe përfitimet e mundshme që do të kishte zoti Trump nga zgjatja e vonesave.
Ish ligjvenësja republikane Liz Cheney, e cila ishte pjesë e komisionit të Dhomës së Përfaqësuese për hetimet mbi rolin e zotit Trump në sulmin e 6 janarit, përdori hapësirën e gazetës New York Timed dedikuar opinioneve dhe editorialeve, për t’i bërë thirrje anëtarëve të gjykatës që të shpreheshin shpejt me vendim për çështjen.
“Nëse vonesat pengojnë zhvillimin e gjyqit përgjatë këtij viti, publiku mund të mos arrijë të dëgjojë kurrë të dhënat kritike dhe historike me të cilat do të njihej juria e madhe dhe sistemi ynë mund të mos arrijë që personi më përgjegjës për 6 janarin të japë llogari”, shkroi ajo.
Megjithatë, disa ekspertë thonë se ndërsa disa argumente ligjore të ish Presidentit mund të jenë të dobëta, gjykata ka interes që t’i qaset me shumë kujdes çështjes së imunitetit presidencial.
“Disa apekte të kësaj çështjeje janë goxha të lehta”, thotë për Zërin e Amerikës, Ilya Somin, profesor i drejtësisë në universitetin “George Maison”. “Do të ishte e lehtë të hidhej poshtë ideja se Presidenti ka imunitet total”.
“Ka të ngjarë që ata të kenë pranuar shqyrtimin e çështjes sepse duan të qartësojnë me përpikmëri më të lartë kufijtë e imunitetit. Eshtë e arsyeshme të mendohet se do të ketë një vendim mbi imunitetin presidencial me qëllim që të vendoset një precedent dhe ky precedent duhet të vendoset nga Gjykata e Lartë”. /VOA