Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka njoftuar se ndaj profesorit të Universitetit të Prishtinës, Xhevat Krasniqi, ka inicuar rast “ngacmim seksual”. Kështu ka konfirmuar zëdhënësja e prokurorisë, Laureta Ulaj, e cila tha se aktualisht janë duke u marrë deklarata nga personat e përfshirë në këtë rast.
“Ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë, sipas detyrës zyrtare ka iniciuar rast në drejtim të veprës penale ‘ngacmimi seksual’, sipas KPRK-së. Ashtu siç iu kemi njoftuar, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar policinë në ndërmarrjen e veprimeve hetimore, me qëllim të grumbullimit të provave dhe informatave lidhur me këtë çështje. Aktualisht mund t’iu konfirmojmë se në kuadër të veprimeve hetimore janë duke u marrë deklarata të personave të përfshirë në këtë rast, si dhe veprime të tjera, konform dispozitave të KPPRK-së”, tha Ulaj
Ndryshe Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka marr vendim që të pezulloj nga puna profesorin Xhevat Krasniqi i cili po dyshohet për ngacmim seksual ndaj studenteve. Këtë e kanë bërë të ditur nga UP përmes një komunikate për media.
“Mbi bazën e vendimit të Këshillit të Etikës dhe rekomandimit drejtuar Rektoratit, Rektori i UP-së mori vendim për pezullimin nga puna të Prof. Xh.K., me efekt të menjëhershëm, sipas kornizës normative përkatëse, derisa të përfundojnë veprimet hetuese nga ana e prokurorisë se shtetit.”
Vendimi ka ardhur pas rekomandimit të Këshillit të Etikës.