Ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, i ka kërkuar Kosovës që të bëjë përparim urgjent sa i përket themelimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe. Gjatë një takimi të zhvilluar në Gjermani me kryeministrin Albin Kurti, O’Brien ka kërkuar që Kosova të lëvizë drejt integrimit euroatlantik dhe duhet të zbatojë zotimet që dalin nga dialogu për normalizimin e raporteve me Serbinë, që ndërmjetësohet nga BE dhe mbështetet nga Uashingtoni.
“SHBA-ja mbështet rrugën e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike. Për të lëvizur përpara ne na duhet zbatimi i zotimeve të dialogut që ndërmjetësohet nga BE-ja, përfshirë edhe përparimin urgjent sa i përket Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Sot diskutova me kryeministrin Kurti për hapat pozitivë që janë të nevojshme”, shkroi ai në X.