Prokuroria në Mitrovicë ka njoftuar se kanë kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj inspektorit të ATK’së dhe një personi tjetër për dhënie dhe marrje të ryshfetit.
“Prokuroria Themelore në Mitrovicë, Departamenti i Krimeve të Rënda, pranë Gjykatës Themelore në Mitrovicë, ka paraqitur kërkesë për caktimin e paraburgimit për të dyshuarin Q.M., inspektor i Administratës Tatimore të Kosovës në Mitrovicë, pasi ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit“ nga neni 421 paragrafi 1 të KPRK, dhe për S.S., nga Novi Pazari, për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale “Dhënia e ryshfetit“ nga neni 422 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).”
Inspektori i ATK’së në Mitrovicë, Q.M. dyshohet se “më 24 prill në parkingun e Terminalit Doganor në Mitrovicë, si person zyrtar në mënyrë të drejtpërdrejtë ka pranuar shumën e të hollave prej 135 euro, në mënyrë që të mos veprojë në pajtim me detyrën e tij zyrtare”.
Ndërsa, i dyshuari tjetër, S.S. “dyshohet se me qëllim të lehtësimit të procedurave për lirimin e mallit, i jep dhuratë personit zyrtar shumën prej 135 euro, e gjithë kjo me qëllimin që i njëjti të mos veprojë në pajtim me detyrën e tij zyrtare”.
Prokuroria ka njoftuar se seanca dëgjimore do të mbahet të premten në Gjykatën Themelore në Mitrovicë