Dushan Maksimoviq, Vladimir Toliq dhe Blagoje Spasojeviq, të dyshuar për sulmin terrorist në Banjskë, nga i cili sulm mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku dhe u plagos një policë tjetër, iu është vazhduar masa e paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë.
Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e gjykatës së Prishtinës, Mirlinda Gashi.“Në çështjen penale kundër të pandehurve V. T., B. S. dhe D. M., Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special më datë 22.04.2024 ka marr vendim dhe ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ashtu që masa e paraburgimit tre të pandehurve iu është vazhduar në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj”- ka thënë Gashi.
Sipas përgjigjes së Gjykatës, masa e paraburgimit të njëjtëve do t`iu vazhdohet deri në muajin qershor të vitit 2024. Tre të dyshuarit për sulmin terrorist në Banjskë, gjenden në masën e paraburgimit që nga 26 shtatori 2023.
Çka përmban dosja e prokurorisë për tre të dyshuarit?
Në kërkesë thuhet se të pandehurit Vladimir Toliq dhe Blogoje Spasojeviq me një grup personash ende të pa identifikuar në mënyrë të organizuar dhe të armatosur me armë të llojeve të ndryshme ushtarake, të rënda, me dashje, pasi që kanë hyrë ilegalisht në Kosovë, me dhjetëra vetura të mbushura me armatim, fillimisht kanë bllokuar rrugën me dy kamioneta me qëllim të vënies në pritë të zyrtarëve të Policisë së Kosovës, e pastaj i kanë sulmuar me granatë dhe armë të ndryshme. Si pasojë, Prokuroria Speciale thotë se ka mbetur i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku, si dhe është plagosur zyrtari tjetër policor Alban Rushiti.
Ndërsa i pandehuri tjetër Dusan Maksimoviq, sipas kërkesës së Prokurorisë Speciale, me dashje iu ka ofruar ndihmë pjesëtarëve të grupit të organizuar dhe të armatosur me armë të llojeve të ndryshme ushtarake, të rënda, duke incizuar skena të vendit të ngjarjes lidhur me lëvizjet e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, të cilët ishin duke zhvilluar operacion kundër të dyshuarve të përfshirë në këtë rast. Në kërkesë, prokurori Naim Abazi e thekson faktin se tre pandehurit janë shtetas edhe të Serbisë dhe nuk kanë vendbanim të konfirmuar.“…si dhe rrethanat e përgjithshme të cilat aktualisht e karakterizojnë veriun e vendit, ekziston rreziku që po të lihen të lirë, do të arratisen nga Kosova dhe do të ikin në Serbi ose në ndonjë vend tjetër, për t’iu shmangur përgjegjësisë penale, e cila do ta vështirësonte zhvillimin me sukses të procedurës penale. Këtë mundësi reale të arratisjes së të pandehurve duhet ndërlidhur edhe me faktin se shumica e të dyshuarve, aktualisht gjenden të lirë, për shkak të disa rrethanave”- thuhet në kërkesë.
Sipas Prokurorisë, i pandehuri Vladimir Toliq aktualisht është duke u trajtuar në Klinikën e Ortopedisë në QKUK, ndërsa dy të pandehurit e tjerë Dusan Maksimoviq dhe Blagoje Spasojeviq janë në ndalim në stacionin policor në Mitrovicë të Jugut. Prokurori i rastit, Naim Abazi, kishte propozuar që ndaj tre të pandehurve fillimisht të ju caktohet masa e paraburgimit në afat prej 1 muaj. Lidhur me rastin ‘Banjska’ përveç, Millan Radoiçiqit, lista e personave të cilët tashmë kanë një fletarrest nga organizata më e madhe ndërkombëtare e policisë, INTERPOL, përbëhet edhe nga 19 persona të tjerë të cilët dyshohen për sulmin terrorist në Banjskë.