Në shënimin e ditës kombëtare për personat e zhdukur me dhunë, Avokati i Popullit, Naim Qelaj ka thënë se edhe pas 25 viteve ende nuk ka drejtësi.
Ai u ka bërë thirrje institucioneve vendore e ndërkombëtare që të ushtrojnë presion ndaj palës përgjegjëse në mënyrë që të zbardhet fati i personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.
“25 vite Ende nuk dihet fati i mbi 1600 personave të zhdukur. Është shqetësues dhe padrejtësi për viktimat. Avokati i Popullit i bën thirrje institucioneve vendore dhe ndërkombëtarëve që pa kompromis të ushtrojnë presion për të detyruar autoritetet përgjegjëse të ofrojnë të gjithë mbështetjen dhe të dhënat që qojnë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur”, tha ai.
Qelaj tha se refuzimi apo hezitimi për të ofruar dëshmi që do të çonte deri te zbardhja e fatit të personave të zhdukur, është mohim i krimeve.
Ai kërkoi që kjo çështje të mos bëhet pjesë e dialogut vetëm për të arritur kompromis por të jetë detyrim e prioritet.
“Refuzimi, mosbashkëpunimi dhe hezitimi për të ofruar dëshmi është i papranueshëm dhe paraqet mohim të krimeve. Vendosja në tavolinën në dialogun politik dhe synimi të arrihet kompromis me fatin e personave të zhdukur është i papranueshëm nëse nuk vendoset si detyrim si kërkesë e qartë dhe parakusht i çdo iniciative tjetër, të vlerësohet si prioritet”, tha ai në një tryezë diskutimi.
Sipas tij, çdo përpjekje për të vendosur kushte tjera për të zbardhur fatin e të zhdukurve është vazhdim i krimeve të luftës