Në ditën kur kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri vendosi të shkojë për herë të parë në objektin kryesor të komunë, qytetarët e komunitetit serb ishin mbledhur para këtij objekti në një manifestim të organizuar nga ta.
Gjithsesi, për të shkuar në mbledhjen e Kuvendit Komunal nuk e pengoi askush kryetarin Zeqiri.
Kjo ishte hera e parë që ai ushtroi detyrën nga objekti i komunë, e jo në atë fshatin Çabër, ku punoi 1 vit të plotë pasi u zgjodh kryetar.
Por, Zeqiri nuk do të shkojë çdo ditë në komunë, pasi që objekti sipas tij ka nevojë akoma për renovime
“Për shkaqe që teknikisht nuk është akoma gati mirpo ne në harmoni me kryesuesin vendosëm që ta thirrim një seancë, kemi punu kemi punu gjatë këtyre ditëve për ta përgatitur si sallë edhe e përshpejtuam pak për shkaqe që neve na duhet një komision me themelu prej Kuvendit dhe prej kabinetit natyrisht”, ka thënë Zeqiri.
Ndërsa, kryesuesi i Kuvendit Komunal të Zubin Potokut, Vedat Mehmeti tha se pikërisht verifikimi i objektit ishte arsyeja e thirrjes së kësaj mbledhjeje urgjente.
“Është formuar komisioni për pranimin dhe verifikimin e objektit brenda komunës së Zubin Potokut. Seanca ka shkuar mirë, ka pasur kuorum të mjaftueshëm të asamblistëve dhe gjithçka ka shkuar në rregull”, ka thënë Mehmeti.
Por, ndryshe veproi bashkëpartiaku i tij, Ilir Peci që është kryetar i Komunës së Zveçanit. Ai gjatë të premtes vazhdoi ta kryej detyrën në fshatin Lipë, e jo në objektin zyrtar në Zveçan.
Më 21 prill u mbajt procesi i votimit për shkarkimin e kryetarëve të katër komunave veriore, por i njëjti dështoi për shkak të numrit të vogël të qytetarëve që dolën për të votuar./Dukagjini