Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, të enjten më 25 prill ka qëndruar në Bruksel në kuadër të takimit të pestë për çështjen e dinarit. Në fjalën e tij para mediave pas përfundimit të takimit pa marrëveshje, Bislimi ka treguar se kanë diskutuar në detaje për idetë e prezantuara nga emisari sllovak, Miroslav Lajcak,
Numri dy i Qeverisë së Kosovës ka thënë se pala kosovare ka shpresuar që ky diskutim do të jetë i dobishëm për afrim të qëndrimeve, megjithatë thotë se ato çfarë kanë dëgjuar nga pala Serbia kanë qenë tepër shqetësuese. Bislimi thotë se deklarimet e zyrtarëve serbe kanë bërë që pozicionet të largohen.
Bislimi duke folur për këtë, ka përmendur se në takimin e së enjtes në Bruksel, e kanë parë hapur dhe të dokumentuar se si Serbia e sheh procesin e krijimit të Asociacionit, si një mekanizëm për legjitimimin e prezencës së strukturave ilegale të Serbisë në Kosovë.
Ai tutje ka thënë se gjithashtu ka pasur përpjekje që të sigurohen metoda përmes të cilave do të merrnin garanci për licencimin e institucioneve ilegale siç është “Postanska Banka”.
“Përshembull sot për herë të parë ne kemi parë haptazi të dokumentuar nga Serbia se si ata e shohin procesin e krijimit të asociacionit, përderisa për bashkësinë ndërkombëtare dhe Kosovën, asociacioni është nënkuptuar si një mekanizëm që ndihmon komunat me shumicë serbe të koordinojnë ushtrimin e disa veprimeve të tyre, Serbia sot tregoi se e sheh si mekanizëm për legjitimimin e prezencës së strukturave ilegale të Serbisë në Kosovë. Poashtu vazhdoi loja e vjetër me tendenca që të sigurohen metoda përmes të cilave do të merrnin garancione për licensimin e institucioneve ilegale siç është “Postanska Banka” në Kosovë”, ka thënë Bislimi.
Zëvendëskryeministri Bislimi ka thënë se duke e parë një situatë të tillë ku qëndrimet s’po afroheshin, emisari Lajcak ka dalë me një propozim të ri, propozim për të cilin palët duhet të japin komentet gjatë ditëve në vijim. Bislimi e ka cilësuar si të mirë propozimin e Lajcak dhe ka treguar se takimi i radhës pritet të jetë gjatë muajit maj