Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, ka thënë se ëndrra e tij është që shqiptarët të jetojnë në një shtet të vetëm, por kjo mbetet vetëm në suazën e ëndrrave.
Këto komente, Thaci i ka bërë në një intervistë për televizionin “A”, të premten, derisa shpjegoi se çfarë pasoja mund të sjellë nëse kjo do të bëhej pjesë e diskursit politik për shqiptarët në përgjithësi, e Kosovën në veçanti.
“Ëndrra ime e jetës është që të gjithë shqiptarët me jetu me një shtet. Por kjo është në kuadër të ëndrrave. Kjo, po u bë pjesë e aktualitetit politik, pasojat mund të jenë shumë të mëdha për ne si komb, e sidomos për Kosovën që është një shtet i ri, që është në momente të rëndësishme të rrumbullakësimit të shtetësisë”, tha Thaci.
“E lus opinionin e Kosovës të kenë mirëkuptim kur flasë kështu. Ata që m’i keqinterpretojnë deklarata m’i nxjerrin se flas kundër Kosovës, përkundrazi. E kam thënë 3 ditë para zgjedhjeve, asnjë shqetësim nuk kam për rezultatin e zgjedhjeve [presidenciale]. Ndërhyrjet e Kosovës në zgjedhjet e Maqedonisë kanë pasoja vetëm për Kosovën”, shtoi
Ajo që ai e kishte deklaruar për impaktin e rezultatit të ndërhyrjes së Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në zgjedhjet në Maqedoni të Veriut, duke i dhënë mbështetje opozitës shqiptare, përkatësisht koalicionit “VLEN”, thotë se u vërtetua me rezultatin e zgjedhjeve të 24 prillit, ku kandidati i “Frontit Evropian”, Bujar Osmani, fitoi bindshëm në taborin shqiptar ndaj Arben Taravarit.
“Ashtu doli rezultati, gati fitorja është 2 me 1”, pohoi.
Kreu i PDSH-së theksoi se duke qenë politikanë me përvojë, në vend të romantizmit politik, zgjedh racionalitetin politik.
“Ndoshta jam i gjeneratës së vjetër të politikanëve, por e preferoj aktualitetin politik; mençurinë në veprimet tona. Jo azganinë, trimërinë, patriotizmin bajat, romanizimin e tejkaluar dhe rilindjen e papërjetuar të disa individëve apo disa grupeve”, deklaroi.a