Një tekst i mediumit ukrainas “European Pravda” ka cituar një deklaratë të zëvendëskryeministrit të Kosovës Besnik Bislimi se Kosova duhet të jetë gati për luftë.
Artikulli në këtë medium u publikua para dy ditësh, por tek pasi u raportua edhe nëpër mediat kosovare ai pësoi ndryshime.
Është pikërisht deklarata e Bislimit, arsyeja që mediumi ukrainas intervenoi në tekstin e botuar më 26 prill.
Fillimisht mediumi citoi Bislimin të ketë thënë se Kosova duhet të jeti gati për luftë, por pas editimit termi ‘luftë’ u largua nga pjesa e tekstit ku u përdor deklarata e tij dhe u zëvendësua me termin ‘konflikt i mundshëm’.
“Nëse i shikoni zhvillimet në anën e Serbisë, gjithmonë mund të llogarisni me një konflikt të mundshëm dhe ka disa elementë që tregojnë se kjo mund të jetë e mundur. Kjo do të thotë se ne jemi gjithmonë vigjilentë, gjithmonë llogarisim me skenarin më të keq të mundshëm, por ne besojmë se prania e KFOR-it, trupave tona të NATO-s në Kosovë mund t’i pengojë këto tensione nga Serbia në një të ardhme të afërt, por është gjithmonë e mundur”, thotë Besnik Bislimi, zëvendëskryeministër i parë i Kosovës.
Bislimi i referohet ngjarjeve që ndodhën në Banjskë në shtator të vitit të kaluar. Gjithçka nisi me një përleshje me policinë që përfundoi me vdekjen e një polici. Përplasja u përshkallëzua në një operacion kundër terrorizmit.