Bakoyannis ia përmend Vuçiqit negociatat me Thaçin për kufijtë: E ke pranuar vetë ekzistencën e dy shteteve

by Nexhat

Deputetja greke, Dora Bakoyannis e mori fjalën e para në Asamblenë Parlamentare më 16 prill për ta arsyetuar raportin e përpiluar nga ajo i cili rekomandon anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës.

Në një op/ed për të përjavshmen serbe, Radar, Bakoyannis ka shkruar për sulmet që iu bënë asaj nga lidershipi në Beograd për shkak të raportit pozitiv për Kosovën.

banner

Ajo i përgjigjet në shkrim presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, të cilit ia kujton se si negociatat e tij me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi për “korrigjimet e kufijve” presupozonin ekzistencën e dy shteteve,

“Në vitin 2018, në Forumin Europian Alpbach në Austri, presidenti Vuçiq pranoi publikisht se kishte negociuar ‘korrigjimet e kufijve’ mes Serbisë dhe Kosovës, me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi. Pavarësisht se negociatat për kufijtë presupozojnë ekzistencën e dy shteteve (nëse jo, atëherë me kë po negocioni?), të cilën unë e kundërshtoj, këtë e konsiderova si një akt trimërie nga ana e presidentit Vuçiq, jo një akt të tradhtisë”, shkruan ajo.

Kur Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës e emëroi si Raportuese për kërkesën e Komitetit të Ministrave për opinionin e Asamblesë për aplikimin e Kosovës, Bakoyannis thotë se “të gjithë ishin në dijeni të lidhjeve të mia të veçanta me Serbinë dhe popullin serb”.

“Jo vetëm sepse përfaqësoj një shtet anëtar që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës*, por edhe për shkak të punës sime për Integrimin Europian të Serbisë”, shton ajo.

Ajo shkruan se “Serbia i përket Europës”, por thekson se “në vitet e fundit, perspektiva e integrimit europian të Serbisë është larguar”.

“Në të njëjtën kohë, për të gjithë ne që ëndërrojmë për një Serbi të begatë europiane, lidhjet gjithnjë e më të ngushta me Rusinë dhe Kinën, incidentet e fundit të joliberalizmit dhe rastet e përsëritura të retorikës anti-BE në diskursin politik shkaktojnë shqetësim të madh”, shkruan Bakoyannis.

Ish-kryediplomatja greke shkruan se raporti i saj “iu kushtua vetëm të drejtave të njeriut dhe nevojës për t’i sjellë edhe 2 milionë evropianë të tjerë nën ombrellën demokratike të KiE”.

“Kjo e fundit është veçanërisht e rëndësishme për komunitetin serb në rajon, të cilit, për dekada, i është hequr e drejta për t’i ndjekur penalisht autoritetet e Prishtinës për shkelje të të drejtave të njeriut, para një Gjykate të njohur ndërkombëtarisht”, shkruan ajo.

Bakoyannis përmendi se si asaj i ishin dashur 300 ditë nga misioni në Prishtinë, Mitrovicën e Veriut dhe në Bruksel, një ekip avokatësh të specializuar dhe dhjetëra takime me qeveritë, ambasadorë, kryetarët serbë, përfaqësues të Kishës Ortodokse Serbe, organizata joqeveritare vendore e ndërkombëtare për ta përpiluar atë raport

Aty, ajo përmend edhe se i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për tokat te Manastiri i Deçanit.

“Asnjë anëtari kandidat nuk i është kërkuar ndonjëherë të ndërmarrë kaq shumë reforma para se të sillet për diskutim mbi anëtarësimin e tij në Organizatë. Kjo është ndoshta arsyeja pse 83% e Kuvendit votuan pro Raportit”, shkruan Bakoyannis.

Deputetja greke thotë se “Asambleja Parlamentare nuk do të mbante asnjë qëndrim për shtetësinë” e Kosovës.

“Në fakt, gjatë fjalës sime në seancë plenare, nënvizova se ‘nëse do të kisha qenë e detyruar nga Komiteti i Ministrave të shpreh mendimin tim për shtetësinë, nuk do ta kisha marrë kurrë Raportin dhe do të rreshtohesha me pozicionin e vendit tim’, duke mohuar çdo konsideratë për anëtarësimin e Kosovës në Organizatë”, shkruan Bakoyannis. “Sidoqoftë, kjo e fundit nuk u kërkua kurrë. Njohja ose mosnjohja e shtetësisë është dhe do të mbetet prerogativë e shteteve”, shton ajo

Përkundër kësaj, ajo thotë se u sulmua “personalisht nga lidershipi i Serbisë”.

“Më cilësuan si një tradhtare të paturpshme që minon marrëdhëniet dypalëshe të vendeve tona. Asgjë nuk mund të jetë më larg nga realiteti. Mirënjohja publike e përpjekjeve të mia nga At Savva, igumeni i Manastirit të Deçanit, shërben si një dëshmi modeste për këtë. Për më tepër, duhet përmendur se lidershipi i vendit nuk ka qenë gjithmonë kaq i brendshëm”, shkruan Bakoyannis.

Bakoyannis thotë se Serbia “nuk ka alternativë të qëndrueshme ndaj BE-së dhe përqafimit të institucioneve liberale demokratike”, nëse dëshiron të ketë të ardhme të begatë.

“Sipas parashikimeve aktuale, deri në vitin 2050, Serbia pritet ta humbasë pothuajse një të katërtën e popullsisë së saj, pasi të rinjtë dhe të aftët emigrojnë në kërkim të punës”, shkruan ajo, duke u shprehur e zhgënjyer nga “sulmet personale”.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy