Në gjykimin ndaj 11 të akuzuarve, të cilët po ngarkohen se si grup kriminal, në qershor 2022 hodhën granata dore në lokalet “Missini” dhe “Rizza Hair Sallon”, i akuzuari Gentrit Ismaili gjatë dhënies së mbrojtjes së tij ka pohuar se ai kishte hedhur granatë dore nën ndikimin e substancave narkotike.
Aktakuza e ngritur më 24 shkurt 2023, ngarkon Lundrim Beqirin, Bekë Salihajn, Adhurim Krasniqin, Valdrin Beqirin, Arianit Pllanën, Kreshnik Kurtin, Fidan Cakollin, Adnan Murtezin, Gentrit Ismajlin, Diar Raçin dhe Egzon Cakollin, se si grup kriminal, në qershor të vitit 2022 hodhën granata dore në lokalet “Missini” dhe “Rizza Hair Sallon”
Fillimisht, i akuzuari Gentrit Ismaili, gjatë dhënies së mbrojtjes së tij ka sqaruar se ai më 22 qershor 2022 kishte shkuar bashkë me Fitimin, Diarin dhe Fidanin në lagjen “Kodra e Trimave” për të marrë një granat dore, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Kur kemi mrri aty unë se kom dit niher çka po marrim, kur kemi mrri ka dalë Fidan Cakolli prej veturës, kur ka hi tani në veturë e kish pas marrë një granat dore”, ka thënë i akuzuari Ismaili
Më pas, ai tha se bashkë me të akuzuarin Fidan Cakolli kishte shkuar në lagjen “Dardania”, ku i njëjti ia kishte dhënë këtë granatë dhe i kishte thënë që ta hedh para lokalit.
“Aty ma ka jep granatën e dorës, i kom thanë që s’di me përdor, më ka thanë merre gjuje, ja kom hek siguresën dhe e kom hedh para lokalit, aty kemi ik prej vendit të ngjarjes”, tha i akuzuari Ismaili.
I akuzuari Ismaili tha se ai nuk kishte pasur motiv për ta dëmtuar dikë dhe se kishte qenë nën ndikimin e substancave narkotike.
I njëjti fillimisht ka mohuar të ketë pasur ndonjë përfitim nga kjo punë, kurse pas ballafaqimit me deklaratën e dhënë në prokurori, ai tha se në veturë kishte dëgjuar një bisedë se për hedhjen e kësaj granate do të fitojnë 800 euro.
Tutje, i akuzuari Ismaili tha se lokali pranë të cilit kishte hedhur granatën, kishte pasur një reklamë “Riza Hair Salon” dhe aty kishte kuptuar se është frizer.
“Fidan Cakolli më ka thanë qitu ki me gjujt, unë e kom hek siguresën edhe e kom gjujt”, tha ai.
Ai tha se këtë e kishte bërë pasi që kishte qenë nën ndikimin e substancave narkotike.
Në fund, i njëjti tha se ndihet fajtor dhe se është penduar lidhur me këtë.
Ndërkaq, i akuzuari Diar Raqi, ka shfrytëzuar të drejtën e tij për tu mbrojtur në heshtje.
Ndërsa, i akuzuari Egzon Cakolli gjatë dhënies së mbrojtjes së tij ka thënë se ai vetëm pasi që kishte parë përgjimet kishte kuptuar se për çfarë akuzohet.
Ai tha se nga të gjithë të akuzuarit e njeh vetëm Adhurim Krasniqin, kurse Adnan Murtezin tha se e njeh vetëm si figurë nga lagjja ku kishte jetuar më herët.
Kurse, të akuzuarin Krasniqi tha se e njeh nga vëllai tij dhe me të kishte pasur kontakte disa herë gjatë periudhës sa Krasniqi kishte qenë në burg.
“Veç me ja shëtit vllaun a me i kry naj punë kah shpia, edhe më ka thanë nëse munesh me shku në Dardani me ja bo naj video se e kishte marrë malli për venin, edhe 2-3 javë përpara unë i pata qu video të qytetit se e kish marrë malli’, tha i akuzuari Cakolli.
Ai tha se nuk kishte qenë në dijeni se kush do ta dëmtojë lokalin e të dëmtuarit “Riza”.
Pas këtij deklarimi, i akuzuari Cakolli ka shfrytëzuar të drejtën e tij për tu mbrojtur në heshtje.
Tutje, për vazhdimin e dhënies së mbrojtjes nga i akuzuari Arianit Pllana, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Suzana Çerkini mori aktvendim për mbylljen e seancës për publikun.
“Prokurori qe në fillim ka propozu që pjesa e deklarimit të akuzuarit Arianit Pllana të vazhdohet me seancë të mbyllur, andaj ne pas propozimit të prokurorit mbrojtësi Agron Curri do të bëjë mbrojtjen e interesave në këtë çështje”, ka thënë gjykatësja Çerkini.
Sipas aktakuzës së ngritur 24 shkurt 2023, të akuzuarit ngarkohen se kanë kryer veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal te organizuar” lidhur me veprat penale, veprimet përgatitore për veprën penale “Vrasje e rëndë”, “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” dhe veprën penale “Detyrimi”.
Ndërsa i akuzuari Lundrim Beqiri po akuzohet edhe për veprën penale “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.