Kryeministri Albin Kurti ka kërkuar sot ga Bashkimi Europian heqjen e masave ndëshkuese meqë Kosova ka përmbushur të gjitha kërkesat e Unionit. Ai në mbledhjen e gjashtë të Këshillit Ministror për Integrim Europian, tha se mbetja në fuqi e këtyre masave është edhe në kundërshtim me përpjekjet për integrim të përshpejtuar të Ballkanit Perëndimor në BE.
Lidhur me deklaratën e Kurtit, ka reaguar zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
Stano ka thënë se diskutimet për heqjen apo jo të masave ndaj Kosovës janë duke vazhduar teksa shton se të njëjtat do të hiqen në momentin kur vendet anëtare të BE-së vendosin.
Stano ka potencuar se ky vendim i takon vendeve anëtare e jo politikanëve të Kosovës.
“Kur BE-ja paraqiti masat kundër Kosovës, shkaku i krizave, vendimeve të njëanshme eskalimet në raport me Serbinë, Bashkimi Evropian ishte i qartë se ato janë të kthyeshme. Kështu që ato do të hiqen në momentin që vendet anëtare vendosin, e përsëris kur vendet anëtare vendosin, e jo kur politikanët e Kosovës vendosin. Pra, kur vendet anëtare vendosin se nuk ka më arsye për t’i mbajtur masat në fuqi. Dhe kjo nuk ka ndodhur deri tani, vendet anëtare vazhdojnë diskutimet dhe këto janë procese të brendshme”, tha ai në një konferencë për media.