Sipas teorisë “9 minuta”, fëmija ka nevojë tre herë gjatë ditës për vëmendjen e prindit për t’u ndjerë i lumtur dhe i sigurt. E para, sapo zgjohet, e dyta kur kthehet nga shkolla dhe e treta para se të flejë në mbrëmje. Secila zgjat 3 minuta, prej nga vjen termi “teoria e 9 minutave”.
Pra sipas saj, prindi nuk ka nevojë të kalojë shumë kohë me fëmijën e tij, por kohë cilësore, në të cilën ai është realisht i pranishëm në çdo gjë që ndodh. Pas gjumit, pas shkollës dhe para gjumit, një fëmijë ka nevojë për siguri dhe komunikim me prindin e tij. Nëse ai është pranë tij dhe krijon ndjenja pozitive për të, atëherë fëmija do të jetë në gjendje të zhvillohet më lehtë emocionalisht, shkruan Marie Claire.
Kjo teori u zbulua së fundmi nga TikToker Sara Martinez, e cila është nënë e një fëmije të vogël dhe përpiqet të jetë vazhdimisht me të.
Martinez në një video shpjegon sesi teoria e mësipërme e ndihmoi të hiqte qafe ndjenjat e pakëndshme të pamjaftueshmërisë që kishte për veten si nënë. Sipas Dr. Tovah P. Klein, e specializuar në zhvillimin e fëmijëve, teoria 9-minutëshe është një mënyrë për të kujtuar kohën cilësore me fëmijët tanë çdo ditë.
“Marrëdhëniet nuk ndërtohen në bazë të asaj se sa kohë kaloni me dikë, por bazuar në atë se sa i pranishëm jeni,”tha ai për Today.Com, duke vënë në dukje se kjo teori mund të përshtatet me orarin ditor të çdo familjeje.
Kur takoheni, duhet të jeni një dëgjues i mirë. Ndoshta tre minutat e komunikimit janë vetëm dëgjimi dhe tundja e kokës. Ajo që e bën një fëmijë të ndihet i sigurt është të dijë se ju do të jeni aty kur ai të ketë nevojë për ju. Është padyshim një qasje interesante ndaj prindërimit që ia vlen të provohet.