Zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Visar Azemi, ka thënë se rënia e Kosovës për 19 pozita në indeksin e lirisë së mediave, është alarm, raporton Express.
Azemi ka thënë se ky regres ka shpjegim, duke shtuar se në krye të vendit ka një qeveri që gjithë mandatin e saj, sipas tij, i ka shpallë luftë medias, ka qenë jobashkëpunuese e jotransparente dhe ka tentuar ta kontrollojë atë.
“Militantët e partisë në pushtet në baza ditore linçojnë gazetarët. Në krye të televizionit publik është instaluar një aktivist i kësaj partie”, ka thënë Azemi.
“Media është shtyllë e rëndësishme e demokracisë. Ajo s’guxon të preket nga askush!”, ka shkruar tutje ai
Kosova përfshihet në grupin e vendeve ku mjedisi i medias është “problematik”. Ajo radhitet e 75-ta duke humbur 19 vende nga viti i kaluar, kur u listua e 56-ta.
“Këtë rënie ne duhet ta shohim në kontekstin e tensioneve midis Kosovës dhe Serbisë, në këtë kontekst, gazetarët në Kosovë janë përballur dhe kanë duruar shumë sulme fizike ndaj tyre. Janë me dhjetra sulme të tilla, ndërkohë që Partia në pushtet shtoi trysninë ndaj medias së pavarur. Ka patur dhe një lloj përndjekjeje administrative ndaj stacionit privat televiziv ‘Klan Kosova’. Nga ana tjetër, u bë zgjedhja e drejtorit të televizionit publik, i cili është i lidhur me kampin qeveritar. Pra, janë këto rreziqe të sigurisë dhe rreziqe politike, të cilat ju e dini se kanë patur pasoja të rënda mbi lirinë e shtypit në Kosovë”, thotë për Zërin e Amerikës, Pavol Szalai, i “Reporterëve pa Kufij”.