Financial Times citon burime nga tre shërbime sekrete – Javët e fundit disa incidente të dyshimta në disa vende evropiane – Moska: “Akuza të pabazuara”
Rusia po përgatitet të intensifikojë aktet e sabotimit në Evropë, “provat e një përpjekjeje më agresive dhe të bashkërenduar po shtohen”, sipas vlerësimeve të shërbimeve sekrete të tre vendeve, të raportuara të hënën nga Financial Times .
Gazeta citon kreun e inteligjencës së brendshme gjermane, Thomas Haldenwang, i cili muajin e kaluar – në një konferencë sigurie – tha se rreziku është “rritur ndjeshëm” dhe se Moska duket e rehatshme për të kryer operacione “me një potencial të lartë për dëm”.
Shembujt e fundit përfshijnë arrestimin e dy shtetasve gjermano-rusë në Bayreuth me akuzat për komplot për të sulmuar objektet ushtarake dhe logjistike në Gjermani, arrestimin e dy burrave në Mbretërinë e Bashkuar që i vunë zjarrin një magazine që përmbante ndihma për Ukrainën, hetimet në Suedi për një sërë daljesh nga shinat dhe dyshimet e fundit për ngacmim të sinjaleve hekurudhore në Çeki, por edhe ndërhyrje të disa makinave në Estoni, përfshirë atë të ministrit të Brendshëm.
NATO lëshoi një deklaratë të enjten duke thënë se vendet aleate ishin “thellësisht të shqetësuar” nga rastet e fundit në gjysmë duzinë vendesh, duke përfshirë Poloninë, Lituaninë dhe Letoninë.
Sabotazhit në botën fizike i shtohen edhe ato kibernetike: Berlini ka tërhequr në shtëpi ambasadorin e tij në Moskë për konsultime, pas raportimit të sulmeve kibernetike kundër SPD-së.