Me nderime e homazhe tek përmendorja e tij në Pejë u kujtua lavdia e luftëtarit të UÇK-së, dëshmorit të kombit, Ahmet Gjikollit nga Peja, sot në një çerek shekulli nga rënia heroike në Çabrat të Gjakovës.
Sot e 25 vite më parë, më 07 Maj të vitit 1999, Ahmet Gjikollli, si pjesëtarë i Batalionit të parë sulmues në Zonën Operative të Dukagjinit, ra heroikisht në kodrën e Çabratit në mbrojtje të Gjakovës
Familjarë, bashkëluftëtarë nga Peja, Gjakova dhe frontet e tjera, politikanë, ish-ushtarak e shkollarë, vunë lule tek përmendorja e Ahmetit në Pejë.
Nga radhët e liderëve institucionalë e politikë, në homazhe mori pjesë ish-kryetari i Pejës dhe kryetar i AAK-së, në këtë komunë Ali Berisha.
‘E kujtojmë sot, një prej djemve më të suksesshëm të luftës në dukagjin. Ahmeti i Pejës, sot e 25 vjet më parë, ra trimërisht duke në Çabrat në mbrojtje të popullatës civile të Gjakovës, për tu bërë Ahmeti i krejt Kosovës dhe krejt kombit shqiptarë.
Andaj sot, bashkë me familjen Gjikolli, nënën Shemsije, Agonin, Nagipin dhe familjen e gjerë nderuam dhe kujtuam veprën e tij. Si ushtar i batalionit të parë sulmues, Ahmeti ra duke lënë nam në të gjitha operacionet luftarake në rrafsh të Dukagjinit, si ushtar i dalluar i UÇK-së”, tha mes tjerash Ali Berisha.
Ahmet Gjikolli, radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës iu bashkua më 10 korrik të vitit 1998 i sistemuar në fshatin Gllogjan, nën komandën e drejtpërdrejt të Ramush Haradinajt.
Mori pjesë në shumë beteja që u zhvilluan në fshatrat e Rrafshit të Dukagjinit, në Lug të Baranit e në Rekë, Loxhë, Buqan, Ratishë, Jabllanicë, Dushkajë e në Gjakovë.
Më 7 Maj të vitit 1999, Ahmet Gjikolli ka rënë heroikisht në kodrën e Çabratit në Gjakovë në një përballje të rreptë me forcat serbe, në luftimet që janë zhvilluar ballë për ballë me armikun, në distancë edhe prej 5 deri në 7 metra.
“Ahmeti, në aksionin në të cilin ka rënë, ka kërkuar të jetë vullnetarë. Ka qenë terr, natë, kur’ e kam dhënë urdhrin për të hyrë në Gjakovë në mbrojtje të popullatës civile. Pasi terreni ishte i rrezikshëm, ushtarët i kam qit’ në rresht, ju kam shpjegu se për çfarë bëhet fjalë dhe kam pyetur se a ka vullnetarë
Në rresht ishin kryesisht djem nga Gjakova dhe Peja. Morali kishte rënë pak. Ahmeti (Zhuti siç e kemi quajtur edhe në luftë), ngriti dorën e pari, dhe kur po them i pari, dijeni se ju them sinqerisht i pari. Nuk e di se çka kam ndjerë, e njohë vetën për të përmbajtur, pra shumë herë ja kam bërë vdekjes me sy, por besoni, se aty nuk e di … e kam afruar pranë vetës, i kam dalë përballë dhe e kam shiku në sy.
Në fakt e ndjeja se ai çast ishte takimi dhe përshëndetja e fundit me të. Pra, UÇK po hynte në qytet dhe ishim të vetëdijshëm, se na pret përballje e fortë, plus asaj porosia ishte që të kemi kujdes sepse në qytet kemi civil të pambrojtur.
Pas Ahmetit janë rreshtuar edhe disa djem tjerë të Gjakovës dhe i kemi nisur. Ka nis kënga, e kemi pas si zakon, kur puna nuk ishte mirë, ja thonim asaj, ‘Ku po shkon moj zanë …’. Koordinatat ishin të qarta po aq sa edhe rreziku ishte i madh. Pra vetëdija dhe patriotizmi i Ahmetit dhe atyre djemve ishin shumë të larta, sepse po shkonin për të shpëtu civilë”, thotë për Ahmet Gjikollin, në një memoram të tij, kreu i AAK-së dhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj, i cili ishte komandant i zonës operative të dukagjinit në UÇK.
Sipas ushtarakut Hekuran Hoda, Ahmeti do binte në fushën e nderit me fjalët, ‘Liri ose vdekje’. Ahmeti drejtpërdrejt në aksion ishte nën komandën e Komandantit Agron Kryeziu.
Ahmet Gjikolli fillimisht ishte varrosur në Çabrat, tek vendi i rënies ndërsa pak ditë pas çlirimit të Kosovës dhe Pejës, gjegjësisht më 3 korrik të vitit 1999 ishte rivarrosur me nderime të larta ushtarake në kompleksin e varrezave të Dëshmorëve në Pejë. /RADIO 1