Gjykata Themelore në Ferizaj i ka caktuar masën e paraburgimit të pandehurës L.J për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale ‘lëndimi i lehtë trupor’.
Ajo dyshohet se në shtëpinë e tyre të përbashkët në Shtime e ka goditur babanë e saj me thikë pas një fjalosje që kishin pasë e më pas e kishte gjuajtur edhe me gurë në oborr. Viktima kishte marrë tretman mjekësor në Shtime
“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtarja e procedurës paraprake e Departamentit të Përgjithshëm –Divizioni Penal, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar, e pandehura me datë 6 maj 2024, në Shtime, saktësisht në shtëpinë e tyre të përbashkët, me dashje i shkakton lëndime të lehta trupore të dëmtuarit- prindit të saj R.J., si viktimë e ndjeshme për shkak të marrëdhënieve familjare që kanë, në atë mënyrë që pas një fjalosje verbale në mes tyre, pasi që e njëjta kishte kërkuar nga i dëmtuari ta ndërpresë telefonatën me vajzën e tij, e pandehura bëhet nervoz dhe e godet të dëmtuarin në anën e djathtë në pjesën e gjoksit, me një thikë-mjet, me të’ cilin mund t`i shkaktojë lëndime të rënda trupore ose dëmtim të rëndë të shëndetit, e pasi del në oborr dhe e godet me gurë në pjesë të trupit, i dëmtuari ka marrë tretman mjekësor dhe posedon raport mjekësor nga QKMF në Shtime”.
Gjyqtarja e procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurës e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtës i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj.
Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.