Sot është mbledhur Komisioni Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore, dhe mjeteve mësimore për nxënësit e nivelit të arsimit fillor dhe atij të mesëm të ulët.
Anëtarët e komisionit u pajtuan që përzgjedhja e ekspertëve të bëhet në formë të thirrjes dhe jo të konkursit.
“Te çështja e ekspertëve, mund të bëjmë thirrje si komision që ata me apliku, interesohemi në CV-në e tyre, në tri fusha që janë të rëndësishme – të jetë njohës i mirë i arsimit; ekonomist i mirë ose me përvojë në fushat e auditimit financiar; dhe e treta, të jetë prapë një jurist i cili ka përvojë dhe është njohës i ligjeve”, ka thënë Bekim Kamishi nga radhët e Partië Demokratike të Kosovës.
“Ne mund të bëjmë thirrje si komision që ekspertët me apliku e pastaj përzgjedhjen e bëjmë ne. Sepse nëse vazhdohet me konkurs, mund të zgjasë procedura e përzgjedhjes, e mundemi me i humbë 30 deri në 45 ditë deri sa të gjejmë ekspertë”.
Ndërkaq pikë e diskutimit e këtij komisioni ishte edhe plani i veprimit për të cilin Armend Muja nga Lëvizja Vetëvendosje tha se në parim duhet të votohet, por ka një dokument shtesë që nevojitet.
“Unë e lexova pak planin e veprimit, parimisht në bazë të ligjit duhet të votohet si i tillë, megjithatë pas miratimit të tij në komisionet e kaluara, ne si komision kemi bërë një mbledhi të brendshme, pa praninë e publikut ku jemi detaju për të gjitha hapat hetimorë, se cilat dokumente që do të kërkohen, se cilat procedura do të ndiqen, kështu që ne mund ta miratojmë në parim, por në anën tjetër na duhet edhe një dokument shtesë për t’u dakorduar për çdo hap hetimor edhe me afatet e qarta kohore”, ka thënë Muja.
“Interesi ynë është që ky proces të përmbyllet para korrikut, pra para se Kuvendi të shkojë në pushim”.