Më 11 maj përfundon “periudha tranzitore” e Bankës Qendrore të Kosovës për çështjen e dinarit, ndërsa i pyetur se çfarë do të ndodhë pas kësaj date, kryeministri Albin Kurti tha “vjen 12 maji”.
Kurti u pyet në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë se a do të ketë plan konkret apo do të priten rezultate konkrete nga takimet e vazhdueshme të kryenegociatorëve në Bruksel për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Tha se nuk i përzihen BQK-së.
“Pas 11 majit, vjen 12 maji, e kështu me radhë, por konkretisht, lidhur me çështjen e dinarit, të cilin ne nuk e kemi ndaluar si të tillë, por si mjet pagese, dhe kjo është bërë nga Republika e Kosovës, jo nga Qeveria e Republikës, sepse është bërë nga Banka Qendrore e Kosovës me rregulloren e re, ata janë edhe më lart se ne, edhe para nesh në ecjen e mëtutjeshme. Pra, si për këto zgjedhjet që u organizuan në veri, kur e kishim KQZ-në, Komisionin Qendror Zgjedhor më lart se ne dhe para nesh, edhe për çështjen e dinarit, e kemi BQK-në, Bankën Qendrore të Kosovës më lart se ne dhe para nesh”, tha ai.
Kurti tha se “ka pasur përpjekje të vazhdueshme që të më vendosin mua në një pozitë ku unë vendosi edhe për Bankën Qendrore të Kosovës, për vendimet e tyre, e kështu me radhë”
“Kjo ndodh në shtetet diktatoriale, kjo ndodh në regjimet autoritare. Ne jemi shtet demokratik. Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës është votuar në të njëjtën sallë ku jam votuar edhe unë. Ai nuk më raporton mua, ai i raporton Kuvendit të Republikës, prandaj nuk mundem unë t’i sipërvendosem guvernatorit. Ne duhet ta ruajmë Republikën tonë, ndarjen e pushteteve, që është thelbësore për demokracinë në vend. Prandaj, për çështje për të cilat ka vendosur Banka Qendrore e Kosovës dhe planet e zbatimit, me faza e afate, përgjigjen ata. Ne jemi për t’i mbështetur ata, jo për t’i udhëhequr ata”, tha kryeministri.