Kryeministri refuzoi Berlinin, Romën e Parisin, shuhen shpresat për anëtarësim në KiE më 17 maj?

by Nexhat

Bazuar në deklarimin e djeshëm të Kryeministrit Kurti se nuk do ta dërgojë propozimin europian për Asociacionin në Gjykatën Kushtetuese dhe në kërkesat e tre kryeqyteteve europiane Berlinit, Parisit e Romës që kjo të ndodhë, Kosova e ka humbur shansin të anëtarësohet në KiE. Teknikisht, Qeveria nga sot i ka edhe 7 ditë, pra deri më datën 16  maj që ta çojë dokumentin në Gjykatë, pasi një ditë më vonë mblidhet Komiteti i Ministrave. Kryediplomatët e vendeve anëtare po atë ditë mund ta fusin në agjendë votimin për anëtarësim të Kosovës. Por, shanset që palët të tërhiqen nga qëndrimet e tyre duken të vogla.   

Tre krerët e vendit nënshkruan një letër që iu dërgua raportueses Dora Bakoyannis ku u zotuan për zbatim të pikës për Asociacionin si një kusht pas anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Europës. Me këtë zotim dhe bashkë me vendimin për regjistrimin e tokës Manastirit të Deçanit, kryeministri Kurti konsideroi që ka përfunduar kushtet e kërkuara që Kosova të ketë të njëjtin sukses në votimin e Komitetit të Ministrave sikurse në Asamble. Por telefonatat që mori nga kancelari gjerman e presidenti francez ndryshuan bindjen optimiste të Kurtit. Kosova tashmë më shumë gjasë as nuk do futet në agjendën e kësaj mbledhje të ministrave të Jashtëm. Megjithatë, kjo nuk dihet me saktësi deri më 17 maj kur miratohet agjenda finale.

Zëdhënësi i Këshillit të Europës, Dusan Vojnovic, në dy përgjigjet e fundit dhënë Gazetës Express thotë se deri në këtë fazë kërkesa e Kosovës për anëtarësim nuk është futur në agjendën e mbledhjes së Komitetit të Ministrave, ndërsa kishte potencuar se puna e këtij organi është konfidenciale

Sidoqoftë, nuk dihet ende nëse kjo do të mbesë kështu meqë deri më 17 maj nuk do të jetë finale agjenda e mbledhjes së majit.

Presidenca e Lihtenshtajnit në një përgjigje më herët për Gazetën Express kishte thënë se janë duke zhvilluar konsultime për atë se a do të futet në agjendë anëtarësimi i Kosovës gjatë ministerialit të vendeve anëtare në Strasburg.

“Në përgatitjet për Sesionin Ministror, Lihtenshtajni është natyrisht në dialog të vazhdueshëm me të gjithë aktorët. Rendi i ditës do të miratohet përfundimisht nga Ministrat e Jashtëm më 17 maj dhe do të bëhet publike pas mbledhjes së bashku me të gjitha vendimet që do të marrin ministrat”, u tha në përgjigje.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, në biseda të ndara telefonike ia bënë të njëjtën kërkesë Kurtit që të ndërmarrë hapa konkretë dhe urgjentë drejt Asociacionit para se të mblidhen ministrat e Jashtëm. Këtij qëndrimi i dha mbështetje edhe SHBA, e cila e udhëzoi Kosovën që të dëgjoë partnerët europianë.

Përgjigjja e Kurtit erdhi disa ditë më vonë në një mbledhje të Qeverisë.

“Qeveria nuk e pranon kushtëzimin e anëtarësimit në KiE me Asociacion”, tha Kurti të mërkurën duke e konsideruar të padrejtë që një çështje e Brukselit të diskutohet në Strasburg

Ai fillimisht u ankua se “pas tërë këtij rrugëtimi të shoqëruar me progres të vazhdueshëm në fushën e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundim të ligjit dhe vlerësime pozitive nga vetë Këshilli i Europës, në këto javët e fundit u përballëm me një kusht të ri”, për të cilin tha se  nuk ka të bëjë aspak me standardet e anëtarësimit në këtë organizatë.

“Qeveria nuk e ka pranuar draftin e propozuar nga emisari Miroslav Lajçak sepse ai është refuzuar me 26 tetor 2023, e dy ditë para kësaj, unë kam dorëzuar vërejtjet e mia kapitale për atë draft-statut, pra me 24 tetor. Dhe e dyta, Qeveria nuk e pranon kushtëzimin e anëtarësimit në KiE me Asociacion. Për normalizimin e marrëdhënieve bisedojmë në Bruksel, jo në Strasburg. Neni 7 i marrëveshjes bazike edhe në ndërlidhje me nenin 10 nuk mund të nxirret jashtë marrëveshjes, nuk mund të vendoset në qendër të saj dhe as sipër saj si një çështje urgjente”.

Në Kosovë kishte pritje të shumta që mbledhja e 17 majit në Strasburg do t’i sillte Kosovës lajmin pozitiv për përfundim të suksesshëm të procesit të anëtarësimit në organizatën paneuropiane për të drejtat e njeriut

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy