Në profilin zyrtar në rrjetet sociale, kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku ka njoftuar se sot ka pritur në selinë e LDK-së një delegacion të CSU Gjermane nga rajoni i Bavarisë. Ai ka treguar se në këtë vizitë është diskutuar për rritjen e bashkëpunimit në projekte konkrete.
Mirëprita në Selinë Qendrore, delegacionin 30 anëtarësh të CSU-së 🇩🇪 nga landi i Bavarisë, të udhëhequr nga ish-kryeministri bavarez, Günther Beckstein.
Diskutuam për rrugëtimin e LDK-së në veçanti e për përpjekjen e Kosovës në përgjithësi si dhe bashkëpunimin e ngushtë mes CSU-së dhe LDK-së. Si dy parti të anëtarësuara në formacionin më të madh politik në Evropë, në Partitë Popullore Evropiane, ndajmë të njëjtat vlera dhe bindje politike. Bashkëpunimi ynë është më shumë se një deklaratë e përbashkët sot; është një zotim për të krijuar rrugë me më shumë projekte konkrete që ngrisin nivelin tonë partiak në standarde evropiane. LDK i ruan dhe i kultivon me kujdes raportet me forcat kryesore evropiane; dhe pritja e takimi i sotëm kishin këtë qëllim.