Ish-ambasadori holandez, Bosch: Shumica e ndërkombëtarëve kërkojnë shumë nga Kosova

by Nexhat

Ish-ambasadori holandez në Kosovë, Robert Bosch, derisa i komenton zhvillimet e fundit përkitazi me çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, thotë se “si zakonisht shumica e ndërkombëtarëve kërkojnë shumë nga Kosova”.

E gjithë kjo, sipas tij, ngjet për shkakun se Serbia vazhdon të “konsiderohet më e rëndësishme se Kosova”

Në këtë kontekst, Bosch vlerëson se edhe vizita e presidentit të Kinës, Xi Jinping në Beograd, ka efektin e vet.

“Kjo ndodh gjatë gjithë kohës, pasi Serbia konsiderohet të jetë më e rëndësishme se Kosova. Vizita e Xi e rriti këtë [rëndësi] edhe pse do duhej të ishte ndryshe. Afrimi me Kinën ‘de facto’ duhet të ishte parë si zhvillim negativ për anëtarësimin e mundshëm të Serbisë në BE”, është shprehur Bosch për KALLXO.com.

Sa i përket dërgimit të draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Gjykatën Kushtetuese, si parakusht për anëtarësim në Këshillin e Evropës, ai thotë se edhe vet ka avokuar që i njëjti të dërgohet në Kushtetuese, veçse Qeveria e Kosovës, sipas tij, duhet së pari joformalisht ta marrë konfirmimin e mbështetjes së vendeve të mëdha.

“Për sa i përket AKS-së, unë kam avokuar gjatë gjithë kohës që drafti të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese, por vetëm për ta shqyrtuar nëse është në përputhje me Kushtetutën, e që kjo kërkon kohë. Por, jo-formalisht duhet të marrin konfirmimin e mbështetjes së vendeve të mëdha që i kërkojnë qeverisë ta bëjë këtë- jo publikisht, por mbrapa skenave. Kosova është pala kërkuese dhe ndonjëherë duhet të bëjë gjëra që duken të paarsyeshme, por kjo është real politika”, argumenton Bosch

Kosova ka arritur të sigurojë votat e mjaftueshme nga delegatët e shteteve anëtare të këtij mekanizmi ndërkombëtar më 16.04.2024, në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Nga 171 delegatët që morën pjesë në votim, 131 votuan për, 29 kundër dhe 11 abstenuan.

Megjithatë, tani Kosovës po i kërkohet nga disa shtete dorëzimi i projektstatutit për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Gjykatë Kushtetuese si “hap” për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës.

Mirëpo më 08.05.2024, kryeministri Albin Kurti tha se nuk do ta pranojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe si kusht për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës.

“Për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë bisedojmë në Bruksel, jo në Strazburg”, ka thënë Kurti.

Sipas tij, kjo kërkesë, “nuk është parimore e as vlerore, por është absurde”

Pengesat për anëtarësim, Kurti tha se i kanë pritur nga shtetet mosnjohëse, por assesi nga shtetet demokratike që janë mbështetëse të Kosovës në zhvillim, e kanë qenë mbështetëse në çlirim e pavarësim, në këtë rast Francën dhe Gjermaninë.

“Mungesa e përkrahjes është për keqardhje. Nuk do t’i ndihmojë normalizimit dhe dialogut dhe nuk i kontribuon demokracisë, paqes dhe sigurisë”, tha Kurti.

Por, ky dokument, sipas Kurtit nuk është zyrtar, sepse u refuzua nga Serbia më 26 tetor 2023 dhe si të tillë nuk mund ta dërgojë në Kushtetuese.

“Nëse me datë 26 tetor 2023 do të nënshkruhej në Bruksel vetëm atëherë do të dërgohej në Gjykatë Kushtetuese. Si i tillë është një non-paper dhe jo një dokument”, shtoi shefi i ekzekutivit

Kurti tha se “Asociacioni si kusht” është refuzuar tri herë edhe nga vetë instancat e Këshillit të Europës.

“Përkundër kësaj, tri herë përgjatë procesit u tentua që të futej kjo kërkesë si parakusht për anëtarësim. Dy herë në komitetin për çështje politike dhe demokraci, më 27 mars në Paris dhe më 16 prill në Strasburg dhe po ashtu gjatë mbledhjes së asamblesë së përgjithshme po atë ditë, por që të tri herat u refuzuan” – tha Kurti.

Hapi i fundit për në KiE është votimi nga ministrat e jashtëm të shteteve anëtare. Megjithatë Kosova ende nuk ka hyrë në agjendën e Komitetit të Ministrave./Kallxo.com/

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy