Gjykata Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji kundër të pandehurit S.M, i dyshuar për sulmet ndaj KFOR-it në Zveçan.
Siç njofton Gjykata Themelore përmes një komunikate për medie, i pandehuri gjendet në paraburgim për shkak të dyshimit se ka kryer veprat penale “Bashkimi për veprimtari kundër kushtetuese”, “Rrezikimi i personave nën mbrojtje ndërkombëtare”, “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi” dhe “Sulmi ndaj personit zyrtar”.
Gjykata ka bërë të ditur “se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit, duke marrë parasysh mënyrën dhe rrethanat në të cilat janë kryer veprat penale, veçanërisht rrezikshmërinë shoqërore të veprave penale, pasojat nga të cilat janë lënduar shumë pjesëtar të KFOR-it, zyrtarë policorë, gazetarë e qytetarë të tjerë, si dhe dëmet materiale të shumta nga djegia dhe dëmtimi fizik.
Poashtu, vlerësuan se i pandehuri S.M është shtetas edhe i Serbisë dhe nëse lihet në liri, mund të arratisët.
“I pandehuri S.M dyshohet se me një grup të dyshuar ka qenë pjesëmarrës i protestave të organizuara me datë 29.05.2023 para objektit të Komunës se Zveçanit, duke sulmuar pjesëtarë të KFOR-it dhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës si dhe duke përdorur shkumë ka tentuar të bëjë bllokimin e ventilimit të veturës së Policisë në të cilën në ato momente gjendeshin të ngujuar brenda në veturë zyrtarë policorë, e qëllimi i të pandehurit ka qenë që këtyre zyrtarëve policorë t’ju ndalet furnizimi me oksigjen duke rrezikuar seriozisht jetën e zyrtarëve policorë, me çka nga veprimet e këtij të pandehuri përmbushën të gjitha elementet e veprave penale për të cilat dyshohet”, thuhet në njoftim.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë