Pas mbylljes së shkollave, radha u erdhi ambulancave. Kështu ka ndodhur në komunën e Kaçanikut.
Nga viti 2016 e deri më tash, 8 shkolla të kësaj komune janë mbyllur. Këtij vargu tashmë i janë bashkuar edhe ambulancat, ku ajo e fshatit Dubravë është e katërta që ka dalë jashtë funksionit. Sipas raporteve mujore të vizitave të mjekut, brenda një muaji në ambulancën e Dubravës kanë kërkuar shërbim mjekësor 1 ose 2 qytetarë. Prandaj, numri i vogël i pacientëve dhe mungesa e stafit mjekësor, po konsiderohet se çoi deri në mbylljen e tyre.
E nga komuna e Kaçanikut e panë si zgjidhje ndërtimin e një shtëpie të shëndetit në një lokacion tjetër, aty ku mund të marrin shërbime shëndetësore të gjithë banorët e këtij fshati e atyre përreth. Më 16 prill komunarë e qytetarë e bënë përhair Qendrën e Mjekësisë Familjare në fshatin Doganaj.
Ndërkaq, tashmë banorët e Dubravës duhet të ecin deri në 4 kilometra për të arritur te kjo QMF, ndërsa ata të fshatrave më të thellë edhe më shumë, pasi që ambulancat më të afërta janë mbyllur. Por kjo sipas kryeshefit të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Kaçanik, Ekrem Dullovi, ishte zgjidhja e vetme që kishin, pasi siç ka thënë ai nuk ka shanse të dërgojnë mjekë në secilin fshat e ta lënë të zbrazët Qendrën Shëndetësore në qytet.
Por mbyllja e ambulancave në fshatrat Dubravë, Kotlinë, Ivajë dhe Elezaj sipas drejtorit të Shëndetësisë, Sali Malsiu, nuk është e përhershme. Sipas Malsiut, me rritjen e numrit të stafit, do të rihapen këto shtëpi shëndeti.
Ai ka treguar se me hapjen e QMF-së në Doganaj, qytetarët do të kenë mundësi të shumta edhe në furnizimin me barna, gjë që ka munguar në ambulancat e fshatrave të tyre. QMF-ja në fshatin Doganaj kushtoi rreth 113 mijë euro. Ky institucion u vetëfinancua nga komuna e Kaçanikut.
Për të njëjtin shkak janë mbyllur edhe ambulancat e disa fshatrave të Deçanit e Skenderajt