Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, ka kritikuar ministrin të Brendshëm, Xhelal Sveçlës, duke thënë se aksionet e tij në veri të vendit janë elektorale.
“Storjen që pamë për armët në veri, është storje elektorale…”, tha Gjini
Pra, vetëm si “fushatë elektorale” kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, nga AAK-ja, e sheh konferencën e ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçlës, nga veriu, pas një aksioni të Policisë së Kosovës ku u konfiskua një sasi e konsiderueshme e armatimit.
Sipas tij, Sveçla është dashur nga zyra e tij ta falënderojë policinë për këtë aksion dhe jo “të shkoj t’ju bëjë vetë ekspertizë armëve”.
“Ne si Kosovë duhet me nis me i kopju vendet normale, Slloveninë, vendet që nuk janë shumë të mëdha që kanë arsenale çka po di. Në vende normale demokratike që Polica me gjet armatim ilegal në një vend, e kryen punët e veta dhe një ministër që është i përgjegjshëm del në zyrën e vet dhe e falënderon policinë, nuk shkon me bë ekspertizë vetë ministri. Sa herë ta shihni që një ministër shkon me kry punë që nuk janë të tij, tek kjo qeveri po na del që janë elektoralë. Shkon me heq bilborda vet. Shkon me i zbulu armët vetë. Këto janë elektorale”, ka thënë Gjini, për RTV Dukagjini
Policia e Kosovës ka konfiskuar një sasi të madhe armatimi gjatë një operacioni në veri të vendit, përfshirë municione, armë të gjata, shokbomba, radiolidhje, dhe uniforma ushtarake dhe policore. Ky operacion u bë pas informacioneve të marra nga qytetarët dhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë.
E, Sveçla, nga veriut bëri të ditur se ky lloj armatimit të konfiskuar është i ngjashëm me armatimin e përdorur në sulmin terrorist të 24 shtatorit, në Banjskë të Zveçanit.
“Lloji i armatimit është i ngjashëm me atë të Banjskës, një pjesë e këtij armatimi janë përdorur më herët për të shkaktuar ndjenjë pasigurie tek qytetarët. Situata e tanishme në këtë pjesë është e qetë falë sukseseve të policisë, kemi më pak armë në duart e tyre e më shumë informata të grupit të Radojçiqit që i vazhdojnë trajnimet në Serbi e siç duket edhe në disa në pjesë të Kosovës”, ka thënë Sveçla