Osmani: Po na thuhet bëjeni njëanshëm Asociacionin – askush s’po i kërkon Serbisë të votojë pro Kosovës në KiE

by Nexhat

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur sot në Samitin e Kopenhagës për Demokraci lidhur me marrëveshjen për Normalizim në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe për ngecjen në zbatimin e saj,

Osmani ka thënë se Kosova ka kërkuar nga Brukseli zyrtar që kërkesa e tyre drejt palëve të jetë për implementim paralel të obligimeve që dalin nga marrëveshje. E para e shtetit ka thënë se obligimi kryesor për Kosovën nga marrëveshja është krijimi i Asociacionit, megjithatë thotë se Serbia në anën tjetër duhet të ushtrojë njohjen de-facto në të njëjtën kohë.

“Ne kemi kërkuar nga BE-ja që të kërkojë nga të dy palët të implementojnë në mënyrë paralele. Ne s’jemi duke ikur nga obligimet që dalin nga ajo marrëveshje për Kosovën, por Serbia duhet të implementojë në të njëjtën kohë.

Të jem më konkrete këtu. Obligimi kryesor për Kosovën nga ajo marrëveshje lidhet me të drejtat për komunitetet, më specifikisht për të krijuar një Asociacion të Komunave me Shumicë Serbe, por kjo është me kushtin që Serbia ushtron njohjen de-facto në mënyrë paralele, në të njëjtën kohë”, ka thënë presidentja Osmani,

Presidentja ka thënë se Serbia po e bën të kundërtën duke thënë se s’do ta njohë kurrë Kosovën, de-facto apo de-jure, dhe se s’do të lejojë anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.

“Siç është thënë nga Macron, Scholz dhe të gjithë liderët e BE-së. Por Serbia bën pikërisht të kundërtën dhe thotë që kurrë s’do ta njohim Kosovën de-jure apo de-facto, s’do ta lejojmë Kosovën që të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare, pyetja është se ku janë masat mbrojtëse që do të kemi, në mënyrë të veçantë masat mbrojtëse të sigurisë që të mos e lejojmë këtë Asociacion të dalë plotësisht jashtë kontrollit.  Të shikojmë problemet që Bosnja ka për shkak të Republika Srpskas”, ka thënë presidentja Osmani,

Ajo tutje ka thënë se mënyra e vetme se si e gjithë situata mund të funksionoj, është që e gjithë marrëveshja të implementohet dhe jo që t’i kërkohet vetëm Kosovës që të implementojë të gjitha obligimet dhe Serbia të lejohet të ecë përpara me çfarëdo që dëshiron. Kur e ka thënë këtë, Osmani ka përmendur edhe shembullin e  aplikimit të Kosovës në Këshill të Evropës dhe kushtëzimin që po i bëhet Kosovës me themelim të Asociacionit.

Osmani ka thënë se kur Kosova kërkon që të bëjë edhe Serbia implementimin paralel të marrëveshjes, pra që të votojë pro anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës, këtë kërkesë të Kosovës ndaj Serbisë nuk e bën askush nga hisedarët në dialog dhe sipas presidentes së Kosovës derisa ka mungesë të balancit në dialog, një gjë e tillë po shkatërron edhe besueshmërinë e procesit.

“Mënyra e vetme se si kjo mund të funksionoj është që e gjithë marrëveshja implementohet, dhe jo vetëm të kërkohet nga Kosova që të implementojë të gjithat dhe të lejohet Serbia të ecin tutje me çfarëdo që ata duan. Për shembull në kemi aplikuar për Këshill të Evropës dhe kemi kaluar fazën e parë me sukses dhe tani po na thuhet që duhet ta implementoni Asociacionin, dhe mirë kur ne pyesim se a do ta bëjë Serbia implementimin në mënyrë paralel, pra që të votojë “pro” anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës, epo askush nuk po ua kërkon atyre këtë. Mendoj se derisa ka mungesë të balancave, kjo po shkatërron besueshmërinë e dialogut. Nëse ka vetëm një palë që duhet të implementojë, cili është kuptimi i të pasurit një marrëveshje dhe dialogut.Pse duhet të ulemi me Serinë dhe të nënshkruajmë këto marrëveshjet”, ka thënë presidentja Osmani.

Ajo tutje ka përmendur edhe ofertën e Kosovës për të nënshkruar marrëveshjen e dalë nga plani franko-gjerman dhe refuzimin e Serbisë, të deklaruar edhe publikisht dhe zyrtarisht nga kryeministrja serbe. Osmani thotë se edhe pse Bërnabiq e ka deklaruar një gjë të tillë publikisht në një forum ndërkombëtar, askush nga liderët e BE-së apo të vendeve anëtare nuk i kanë kërkuar llogari Serbisë.

Shefja e shtetit tutje ka thënë se Kosovës po i kërkohet që të ecë në mënyrë të një anshme me implementim pavarësisht se çfarë bën Serbia. Megjithatë thotë se Kosova do ta bënte një gjë të tillë nëse s’do të kishte rreziqe të sigurisë nga Asociacioni dhe nëse s’do të dihej historia e Republika Srpskas në Bosnje e Hercegovinë.

“Në ofruam nënshkrimin e planit franko-gjerman dhe Serbia asnjëherë s’deshi ta nënshkruaj, presidenti serb tha që kam dhimbje në dorë dhe kryeministrja serbe në sy të të gjithë liderëve ku isha edhe unë, tha që Serbia s’do ta implementojë këtë marrëveshje dhe dërguan një letër që konfirmon të njëjtën. Dhe asnjë lider i BE-së asnjë lider i vendeve anëtare në atë sallë nuk tha se çfarë nënkuptoni që s’do ta pranoni. Askush s’merret me ta, të gjithë vijnë tek ne dhe na thonë që s’ka rëndësi çfarë bën Serbia, ju duhet të implementoni në mënyrë të një anshme. Ne do ta bënim nëse s’do te kishte rreziqe të sigurisë nga ky asociacion, do të bënim nëse s’do ta dinim historinë e Republika Srpskas dhe si në fakt në vitin 1991 filloi si një Asociacion por përfundoi në Dodik Republikën që e dimë sot”, ka thënë Osmani në Forumin për Demokraci.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy