Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë kundër ish-kryetarit të Listës Serbe, Goran Rakiq, të cilin e akuzon se në cilësinë e ministrit për Komunitete dhe Kthim, nuk ka paraqitur saktë të dhënat e kërkuara në formularin për deklarimin e pasurisë.
Aktakuza e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, rezulton të jetë përpiluar më 2 maj 2024 nga prokurori Ali Ajdini
Sipas aktakuzës, thuhet se Rakiq, në cilësinë e ministrit të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, me dashje ka vepruar në kundërshtim me nenin 5 të Ligjit për Deklarim, Prejardhjen dhe Kontrollimin e Pasurisë së Zyrtarëve së Lartë Publikë, ashtu që i njëjti edhe pse ka qenë i obliguar të bëjë deklarimin e pasurisë në formularin e deklarimit të pasurisë, nuk ka paraqitur saktë të dhënat e kërkuara.
Aktakuza thotë se Rakiq në formularin për deklarimin e pasurisë të dorëzuar më 31 mars 2021, nuk ka paraqitur saktë të dhënat e kërkuara për vitin 2020, respektivisht nuk ka deklaruar të hyrat vjetore të përfituara nga funksioni si asistent në Shkollën e Lartë Ekonomike në Pejë dhe funksionin në Ndërmarrjen Publike “Standard” në Mitrovicë
Me këto veprime, Rakiq po akuzohet se ka kryer veprën penale nga kapitulli i korrupsionit “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave ose dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare”, nga neni 430, paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me dënohet me gjobë dhe me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.
Në arsyetimin e aktakuzës, thuhet se Rakiq në deklaratën e tij të dhënë në Prokurori në tërësi e ka pranuar kryerjen e veprës penale dhe i njëjti është shprehur i gatshëm që të hyjë në negociata për pranimin e fajësisë.
E një gjë të tillë për “Betimi për Drejtësi”, më 25 prill 2024 e kishte konfirmuar edhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, kur në objektin e kësaj Prokurorie ishte parë tani i akuzuari Rakiq.
“Betimi për Drejtësi”, ka tentuar të kontaktojë edhe të akuzuarin Rakiq, mirëpo i njëjti ishte i paqasshëm