Enver Sekiraqa, i cili më 3 maj 2024 u dënua nga shkalla e parë me 25 vite burgim për nxitje në vrasjen e policit Triumf Riza, do të kthehet në paraburgim derisa aktgjykimi të marrë formë të prerë.
Kështu ka vendosur Gjykata e Apelit, Departamenti Special pas ankesës së Prokurorisë Speciale mbi vendimin e Themelores, e cila më 3 maj 2024 ia kishte ndërprerë që masën e arrestit shtëpiak duke e lënë të mbrohej në liri.
“Gjykata e Apelit e Kosovës me aktvendimin PN1.S.nr.91/2024, të datës 17.05.2024, e ka aprovuar si të bazuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ndërsa aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, PKR.nr.170/2020 të datës 03.05.2024, e ka ndryshuar, ashtu që të pandehurit E.S, i është caktuar masa e paraburgimit, e cila do të zgjasë deri sa aktgjykimi të merr formën e prerë, por jo më shumë se koha e dënimit të shqiptuar me aktgjykimin e gjykatës themelore” thuhet në njoftimin e Apelit.
I akuzuari Enver Sekiraqa, më 3 maj 2024, për here të tretë pas kthimit të rastit në rigjykim u dënua me 25 vite burgim për nxitje në vrasjen e policit Triumf Riza.
Gjykata Themelore në Prishtinë, për herë të dytë më 16 shtator 2019, e kishte shpallur fajtor Enver Sekiraqën për nxitje në vrasjen e ish-policit Triumf Riza dhe i kishte shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej 30 vitesh.
Mirëpo, Gjykata e Apelit më 6 mars 2020, kishte vendosur të aprovojë ankesën e mbrojtjes së Sekiraqës duke e kthyer rastin për të dytën herë në rigjykim, pasi sipas Apelit aktgjykimi i shkallës së parë ishte marrë me shkelje të dispozitave të procedurës penale.
Sekiraqa për të njëjtin rast ishte dënuar edhe më 17 maj 2016, për dy vepra penale për “nxitje në kryerje të vrasjes së rëndë” dhe për veprën “detyrimi” me dënim unik prej 37 viteve burgim, kurse ishte liruar për veprën penale “dhunimi”.
Gjykata e Apelit, më 24 tetor 2017, kishte mbajtur një seancë dëgjimore lidhur me caktimin e masës së sigurisë ndaj Enver Sekiraqës, pasi e njëjta gjykatë më 19 tetor, në orët e mbrëmjes, e kishte liruar nga paraburgimi atë dhe ndaj tij kishte shqiptuar masën e arrestit shtëpiak.
Për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj tij, kishin votuar tri gjykatëset e Apelit, dy nga radhët e EULEX-it, Elka Ermenkova dhe Anna Adamska-Gallant, si dhe gjykatësja vendore Mejreme Memaj./betimipërdrejtësi