Sot përfundon procesi i regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, që ka nisur më 5 prill. Rezultatet preliminare të regjistrimit pritet të publikohen brenda tre muajve.
Ylli Shala, menaxher i projektit në Agjencinë e Statistikave, tha në RTK se sot do të punohet me orar të zgjatur për shkak të fluksit të qytetarëve të cilët e kanë lënë të regjistrohen më vonë, apo nuk kanë pasur kohë të regjistrohen.
Shala tha se në Agjencinë e Statistikave janë hapë disa qendra brenda zyrës për regjistrim e po ashtu edhe dy zyre janë në objektin e komunës ku qytetarët mund të regjistrohen.
Sipas Shalës ky proces konsiderohet njëri ndër projektet më madhore në vend. “Ka qenë një punë dhe angazhim shumë i madh duke filluar prej stafit të ASK-së dhe gjithë regjistruesve, mbikëqyrësve, komisioneve komunale dhe të gjitha institucioneve në vend”, tha ai.
Shala shtoi se puna më sfiduese e këtij procesi ka qenë puna e regjistruesve, që sipas tij kur është parë se puna është shumë voluminoze ka pasur tërheqje te tyre.
Me mundësimin e teknologjisë Shala tha se ka shumë gjasa se brenda muajit qershor të dalin rezultatet preliminare, kurse përfundimtaret deri kah fundi i vitit.
Ai tha se rënia e natalitetit dhe migrimi janë dy faktorët kryesor që kanë ndikuar në rënien e numrit të popullsisë, por që sipas tij në Kosovë nuk ka shumë rënie të numrit të banorëve
“Qëllimi i regjistrimit të popullsisë nuk është vetëm numri i popullsisë, brenda këtij regjistrimi marrim shumë informacione tjera të cilat kanë me qenë shumë të leverdishme për komunat, qeverinë, Kosovën për ASK-në, për shkak që kemi shumë indikator që nuk kemi mundur me i dërguar në Eurostat pa u kryer procesi regjistrimit”, tha Shala.
Shala tha se për mos regjistrim do të ketë dënime, dënimi për individ do të jetë 2000 euro, kurse për subjekte politike deri në 20.000 euro, prandaj ai bëri thirrje që të dalin e të regjistrohen të gjithë ata që kanë mbetur pa u regjistruar.