“Këtij vendi i kemi thënë Lugu i Unazës”, kujton Ylber Hoxha teksa ngjitet rrëzë bjeshkës në fshatin Shalë të Lipjanit.
Gjashtëdhjetëvjeçari thotë se deri në vitet e fundit, kjo zonë ishte vendi ku dilte për të ecur e marrë ajër të pastër.
“Tani nuk ke se çfarë merr, vetëm pluhur”, thotë ai, duke drejtuar gishtin kah një pjesë e malit që është gërryer dhe nga ku po nxirret guri si material i parë ndërtimor.
Puna e kompanisë gurthyese po e pengon Ylberin, pasi, sipas tij, po shkakton ndotje dhe pasiguri meqë është afër vendbanimit.
“Këtu nuk ka siguri, është në rrënjë të rrugës. Më të rrezikuar jemi nga lagjja jonë. Ka detonim”, tregon ai.
Ylberi me bashkëfshtarë kishin protestuar disa herë për të kundërshtuar punën e gurthyesit por, siç thotë, pa sukses
Feim Hoxha, pronar i kompanisë Arbëria Turist, që po punon në atë zonë, i mohon akuzat e banorëve.
Ai thotë se për operimin e tij është i pajisur me leje mjedisore dhe leje për shfrytëzimin e mineraleve apo gurit në këtë rast. Ai insiston se nuk i ka tejkaluar asnjëherë parametrat e lejuar të punës.
“Një kilometër e gjysmë është larg fshatit. Të gjitha lejet janë. Pa dokumente si mund të punosh. Nuk ka as rrezikshmëri as pengesë, as asgjë”, thotë Hoxha për Radion Evropa e Lirë.
Radio Evropa e Lirë ka parë në të dhënat publike të Komisionit të Pavarur për Miniera e Minerale (KPMM) se kjo kompani ka leje aktive deri më 2025, ndërsa lejet mjedisore që lëshohen nga Ministria e Mjedisit, nuk janë publike.
Aktualisht, numri i kompanive që bëjnë nxjerrjen e gurit në Kosovë nuk dihet saktësisht.
Megjithatë, gjurmët e kësaj industrie vërehen nëpër shumë bjeshkë të Kosovës.
Në vitin 2021, me kërkesë të Ministrisë së Mjedisit, një grup ekspertësh nga institucione të ndryshme hartuan një raport për dëmet mjedisore nga kjo industri.
Raporti i pasoi një vendimi të po kësaj ministrie që të vendosë një moratorium 2- vjeçar deri në qershor të vitit 2023 për leje të reja mjedisore për gurthyes.
Kjo leje është kyçe që një kompani të mund të punojë ligjshëm.
Ali Sefaj nga Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit ishte udhëheqës i këtij ekipi që përpiloi raportin.
Ai thotë se ndër gjetjet kryesore për dëmet e kësaj industrie, është fakti që pasi kompanitë kanë kryer aktivitetin, ato nuk e kanë rehabilituar vendin ku është bërë gërmimi, duke lënë pas gropa të hapura.
“Shumica e guroreve në Kosovë edhe ato që janë mbyllur ose ato që do të duhej të mbylleshin…janë në gjendje të mjerueshme dhe fatkeqësisht një numër i madh i tyre kanë qenë edhe vend i vdekjes, qoftë për njerëzit apo bagëtitë e fermerëve në zonat përreth… e nuk po flasim pastaj për rrezikimin e burimeve ujore, të infrastrukturës rrugore…”, thotë Sefaj.
Raporti, ndër tjerash, thotë se hapësira e përgjithshme e degraduar nga kjo industri është rreth 13 mijë hektarë, që i bie mbi 1 për qind e territorit të Kosovës.
Ekspertët kishin konstatuar se dëmet nga industria e nxjerrjes së gurit, përfshijnë ndotje të ujit, ajrit e biodiversitetit
Ministria e Mjedisit nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë, nëse ka lëshuar leje të reja mjedisore pas përfundimit të moratoriumit. Ndërsa, sipas të dhënave publike nga KPMM-ja, aktualisht ekzistojnë mbi 100 leje aktive për nxjerrjen e gurit.
Elbasan Shala, zëvendëskryeinspektor i Mjedisit, thotë për Radion Evropa e Lirë se në pesë vjetët e fundit kanë realizuar rreth njëmijë inspektime nëpër gurore.
Sipas tij, gjetjet kryesore të inspektimeve përfshijnë: mungesën e formalizimit të bizneseve me dokumentacion ligjor, mungesën e plotësimit të disa kushteve të dokumenteve si rrethoja e gurores, zhurma, ndotja e ajrit, dëmet mjedisore, dëmtimi i rrugëve, e të tjera.
Ai shtoi se kanë shqiptuar gjoba lidhur me shkeljet, por edhe kanë dërguar raste në gjykatë, por siç thotë, në disa raste dënimet kanë qenë “shumë të ulëta”.
Një ndër zonat me pasoja të dukshme nga industria e gurthyesve është fshati Sankoc i Drenasit.
Atje, në mes të bjeshkëve të gjelbra qëndrojnë të hapura gropa të thella që nga viti 2018, kur kompania Kodra e ndërpreu punën.
Kjo kompani kishte punuar në nxjerrjen e gurit atje për rreth pesë vjet, me fillim nga viti 2013.
Komuna e Drenasit kishte konstatuar se kjo kompani kishte shfrytëzuar pa leje tokën e komunës për këtë aktivitet përgjatë dy vjetëve të parë të punës
Megjithatë, rreth vitit 2014, asaj i ishin dhënë në shfrytëzim njëherë 5 dhe më vonë edhe rreth 40 hektarë nga komuna.
Qëllimi i kontratës me komunën ishte edhe ndërtimi i një qendre rekreative, e cila nuk u ndërtua kurrë.
Për këtë arsye, më 2018, pasi udhëheqjen e Drenasit e kishte marrë Ramiz Lladrovci, ai mori vendim që t’ia ndëpresë kontratën kësaj kompanie.
Ai, po ashtu, e paditi këtë kompani për dëme ndaj pronës komunale.
“Ne nuk i kemi lënë ta rehabilitojnë guroren për shkak se jemi në proces gjyqësor … (Nuk e kemi lënë) për shkak që mos ta mbulojmë krimin që e ka bërë kompania Kodra, thotë Lladrovci për Radion Evropa e Lirë.
Në anën tjetër, Enver Zogaj, pronar i kompanisë Kodra e pranon se ishte dënuar për uzurpim të pronës së komunës më herët.
Më 2017, ai ishte dënuar me 1 vit e 10 muaj burgim me kusht për “uzurpim dhe dëmtim të pasurisë publike”.
Por, Zogaj pretendon se ka qenë i penguar qëllimshëm në punën e tij nga vendimet komunale që nga fillimi i punës dhe për këtë ai e ka paditur komunën.
“E di që jam shumë i dëmtuar, por besoj që drejtësia do të dalë në dritë”, tha ai, pa dashur të komentojë më shumë mbi çështjen për shkak të procesit aktiv gjyqësor.
Hulumtime mbi aktivitetin e gurthyesve viteve të kaluara ka bërë edhe organizata joqeveritare Çohu.
“Dëmi ambiental është shumë i madh për shkak se ka shumë hapësira të mëdha të degraduara e që janë afër vendbanimeve dhe kjo pastaj mund të përbëjë rrezik edhe për njerëzit”, thotë Arton Demhasaj, drejtor i kësaj organizate.
Sipas Çohu-t, shumë kompani që merren me këtë aktivitet, kanë edhe lidhje direkte apo indirekte me parti politike, që sipas Demhasajt, ka ndikuar në mosndëshkueshmëri.
“Po të mos kishte ekzistuar politizimi i tyre, mendoj që normalisht institucionet kishin pasur një mbikëqyrje shumë më të madhe dhe i kishin obliguar kompanitë që të revitalizojnë hapësirat që i kanë përdorur”, thotë ai.
Me gurthyesit në fshatin e tij në zonën e Ferizajt, është i pakënaqur edhe Rrustem Orana.
Ai thotë se puna e disa gurthyesve në atë zonë ka bërë që të jetojnë nën pluhur, zhurmë dhe zona ku jetojnë, ka pësuar nga mjetet e rënda transportuese.
“Dëme mos pyet. Këtu pluhur, atje pluhur. Rruga është prishur nga (kamionët). Rrobat bëhen pluhur”, thotë Orana.
Sipas tij, banorët nuk kanë shumë fuqi për ta ndalur këtë industri, pavarësisht ankesave, ndërsa siç thotë ai, “kontrollet nga shteti mungojnë”.
Për të zgjidhur problemin e degradimit nga guroret e braktisura, Ali Sefaj, thotë se i kishin rekomanduar Ministrisë së Mjedisit, që të krijojë një të ashtuquajtur Fond për Mjedisin.
Sipas tij, taksat dhe pagesat e tjera që bëhen nga gurthyesit do të duhej të destinoheshin për të investuar në rehabilitimin e zonave të prekura nga gurthyesit, kur kompanitë nuk mund ta bëjnë këtë.
“Fatkeqësisht, pothuajse janë bërë mbi dy vjet e gjysmë (nga përpilimi i raportit) dhe nuk kemi as plan të sanimit, nuk kemi as mjete dhe nuk është marrë asnjë veprim konkret përveç moratoriumit”, thotë Sefaj
“Po të mos kishte ekzistuar politizimi i tyre, mendoj që normalisht institucionet kishin pasur një mbikëqyrje shumë më të madhe dhe i kishin obliguar kompanitë që të revitalizojnë hapësirat që i kanë përdorur”, thotë ai
Ministria e Mjedisit nuk u është përgjigjur pyetjeve të REL-it as në lidhje me rehabilitimin e guroreve të braktisura.