Policia e Tiranës ka arrestuar dy të rinj, nën dyshimin se kanë marrë peng dhe rrahur një 20-vjeçar.
Sipas policisë, viktima u rrëmbye në sheshin “Skënderbej”.
Gjithashtu, u arrestua edhe një person i cili dyshohet se kishte dijeni për ngjarjen, por nuk e ka kallëzuar në polici.
“U arrestuan shtetasit D. B., 36 vjeç, dhe E. H., 31 vjeç, dhe u shpall në kërkim shtetasi H. P., 19 vjeç, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”. U arrestua shtetasi T. K., 28 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”. Shtetasit D. B., E. H. dhe H. P., dyshohet se për motive të dobëta, kanë marrë me forcë në sheshin “Skënderbej”, një 20-vjeçar, ndaj të cilit kanë ushtruar dhunë në mënyrë të vazhdueshme, ndërsa shtetasi T. K. ka pasur dijeni për ngjarjen, por nuk e ka kallëzuar atë në Polici”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.