Ish-oficeri gjerman i KFOR-it fillon dëshminë në rastin Thaçi dhe të tjerët

by Merita

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka filluar dëshminë dëshmitari i 63-të i Zyrës së Prokurorit të Specializua, Dietrich Klaus-Jensch, në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Pyetjet për dëshmitarin i ka filluar prokurorja Sarah Clanton, raporton “Betimi për Drejtësi”.

banner

Sipas përmbledhjes së lexuar nga prokurorja, u tha se Klaus-Jensch kishte drejtuar operacionin për të hyrë në ish-ndërtesën e MUP-it në Prizren për lirimin e të burgosurve dhe çarmatosjen e anëtarëve të UÇK-së.

“Dëshmitari 02540 u disklutua në Kosovë në qershor të ’99-ës si komandant i forcave gjermane që ishte pjesë e kontingjentit të KFOR-it. Dëshmitari me numër 02540 dhe njësiti i tij ishin të vendosur në Prizren dhe ndër detyrat e tyre ishte patrullimi dhe të trajtonin aspektet e sigurisë të cilat po i përjetonte popullata atje. Dëshmitari me numër 02540 ka qenë i pranishëm atje kur u bastisën ambientet që përdorte UÇK-ja. Në veçanti, më 18 qershor të 1999-ës ka qenë i pranishëm në ish-ndërtesën e MUP-it në Prizren, ku drejtoi një operacion për të hyrë në ndërtesë, për të liruar personat e ndaluar dhe për të çarmatosur anëtarët e UÇK-së që ishin të pranishëm, tha Clanton.

Prokurorja tha se dëshmiari pa persona të plagosur atje dhe kërkoi mbështetje mjekësore nga njësitet e KFOR-it, të cilët ofruan ndihmë për të lënduarit.

Dëshmitari tha se aktualisht është oficer i Ushtrisë Federale të Gjermanisë dhe mban pozitën si kolonel-lejtnant. Ndërsa, më 1999-ën, ai tha se ka qenë major.

Po ashtu, Klaus-Jensch pohoi se ka dhënë deklaratë edhe për ish-Tribunalin për Jugosllavinë, ndërsa sipas prokurores, kjo deklaratë mban datën 30 tetor 2001.

Atij iu prezantuan disa fotografi në të cilat bëri identifikime, e që në njërën prej tyre tha se ishte një pjesëtar i UÇK-së.

Sipas kryetarit të trupit gjykues Charles Smith, dëshmia e këtij dëshmitari pritet të zgjasë rreth tetë orë e që dy prej tyre janë parashikuar për përfaqësuesit e ZPS-së dhe gjashtë orë të tjera për ekipet mbrojtëse.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy