Sami Kurteshi lirohet nga akuza për sulm ndaj zyrtarit të KQZ-së

by Merita

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Sami Kurteshi, është liruar nga akuza për sulm ndaj të dëmtuarit Adnon Berisha në selinë e KQZ-së.

Aktgjykimi ndaj Kurteshit u shpall të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë nga gjykatësi Sabit Sadikaj.

banner

Sipas gjykatësit Sadikaj, Kurteshi lirohet nga akuza pasi nuk është vërtetuar se ka kryer veprën penale që i vihej në barrë.

“Nga faktet e vërtetuara, dëgjimi i dëshmitarëve dhe provat që gjenden në shkresat e lëndë nuk arritet të vërtetohet se i njëjti ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohet apo vepra penale saktësisht me të cilën ngarkohet nuk paraqet elementet e veprës penale të sulmit”, tha gjykatësi.

Sipas gjykatësit, për veprën penale për të cilën akuzohej Kurteshi, u vërtetua se nuk përbën vepër penale.

“Eventualisht, në këtë rast kemi të bëjmë me plotësimin e elementeve të veprës kundërvajtëse. Pra, në këtë rast nuk janë plotësu elementet e veprës penale për të cilën akuzohet i pandehuri”, tha Sadikaj.

Aktgjykimi u shpall në mungesë të Kurteshit.

Ndryshe, aktakuza e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, e cila e ngarkonte Sami Kurteshit me veprën penale “Sulmi”, rezulton të jetë përpiluar më 21 dhjetor 2021.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Kurteshi ngarkohej se më 25 gusht 2021 në selinë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Prishtinë, me dashje përdor forcën ndaj të dëmtuarit Adnon Berisha.

Aktakuza thotë se derisa i dëmtuari Berisha ishte duke iu shërbyer me kafe dhe pa vendosur maskë, fillimisht i pandehuri i drejtohet me fjalët “djalo ku e ki maskën?” dhe pasi që i dëmtuari nuk përgjigjet, atëherë i pandehuri Kurteshi e kapë për krahu të dëmtuarin duke e tërhequr dhe duke i bërtitur me fjalët “ec jashtë” dhe e shtynë nga mbrapa me dy duart.

Me këtë, Kurteshi akuzohej se ka kryer veprën penale “Sulm” nga neni 184, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në një vit.

Ndryshe, më 25 gusht 2021 ishte raportuar se Policia e Kosovës (PK) ka nisur hetimet ndaj Sami Kurteshit, anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), si i dyshuar se ka sulmuar një person. /BetimipërDrejtësi

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy