Në mungesë të të akuzuarit Igor Memaroviq dhe mbrojtësit të të akuzuarit Enes Qollumi, avokatit Bashkim Mehana, ka dështuar të nis gjykimi të mërkurën në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, në rastin ku Memaroviq dhe Qollumi bashkë me Adrijana Hoxhiq dhe Branislav Klajiq akuzohen për korrupsion.
Ish-nënkryetarja e Mitrovicës së Veriut, Adrijana Hoxhiq në cilësinë e kryeshefes ekzekutive, Igor Memaroviq në cilësinë e zyrtarit për përpunimin e të dhënave në modelin grafik, Enes Qollumi në cilësinë e shefit të Kadastrit dhe i pandehuri Branislav Klajiq në cilësinë e drejtorit të Drejtorisë së Urbanizmit dhe Kadastrit të Zyrës Administrative të Mitrovicës së Veriut ngarkohen se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare me qëllim që i pandehuri Veselin Kucanoviq të përfitojë dobi pasurore, iu shkaktohet dëm të dëmtuarve Orhan Hoxhaxhiku dhe Dejan Markoviq.
Gjykatësi Mentor Hajraj the se avokati Mehana përmes parashtresës e ka arsyetuar mungesën e tij, duke thënë se në të njëjtën ditë ka seancë gjyqësore në Gjykatën Themelore në Prishtinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndërsa, lidhur me mungesën e të akuzuarit Memaroviq, gjykatësi Hajraj tha se i njëjti jeton jashtë vendit dhe se adresa e vllait të tij, përmes të cilës është ftuar rezulton të jetë e pabanuar.
Në këtë seancë mungoi edhe mbrojtësi i Klajiq, avokati Dejan Vasiq, mirëpo në seancë përmes autorizimit ishte prezent praktikanti i tij, Goran Mitroviq, për të cilin nuk u konstatua moslejimi i tij për zëvendësim, pasi seanca u shty.
Ndryshe, të pranishëm në seancën e sotme ishin prokurorja Fetije Bajrami, të akuzuarit Enes Qollumi, Adrijana Hoxhiq me mbrojtësin e saj, avokatin Musa Damati, Branislav Klajiq dhe mbrojtësja e të akuzuarit Igor Memaroviq, Zehra Merovci.
Në këto rrethana, seanca e sotme është shtyrë, kurse ajo e radhës është caktuar për një datë tjetër.
Pas seancës, mbrojtësi i të akuzuarës Adrijana Hoxhiq, avokati Musa Damati në një prononcim për “Betimi për Drejtësi” tha se ky proces gjyqësor do të rezultojë me pafajësinë e të mbrojturës së tij, pasi që sipas tij mungojnë elementet inkriminuese që mund ta bëjnë përgjegjëse atë.
“Pas analizimit të shkresave të lëndës, kemi pa se mungojnë elementet inkriminuese të cilat mund ta bëjnë përgjegjëse klienten time, zonjën Hoxhiq, andaj edhe ky proces do të rezultojë me pafajësinë e saj”, tha Damati.
Sipas aktakuzës së ngritur më 5 prill 2024 nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë, Igor Memaroviq, Enes Qollumi, Adrijana Hoxhiq dhe Branislav Klajiq po akuzohen se më 24 prill 2015 në cilësinë e personave zyrtarë në Zyrën Administravite në Mitrovicë të Veriut-Agjencia Kadastrale e Kosovës, me dashje dhe në bashkëkryerje kanë shfrytëzuar detyrën zyrtare duke i tejkaluar kompetencat dhe duke mos i përmbushur detyrat zytrare me qëllim që personi Veselin Kucanoviq të përfitojë dobi pasurore, ku si pasojë e kësaj i është shkaktuar dëm Orhan Hoxhaxhikut dhe Dejan Markoviqit.
Memaroviq në cilësinë e zyrtarit për përpunimin e të dhënave në modelin grafik, thuhet se ka bërë përpunimin e të dhënave, ndërsa verifikimin e tyre e ka bërë i akuzuari Qollumi pa pasur dosje fizike apo elektronike të aplikimit nga Kucanoviq për regjistrimin e paluajtshmërisë, e po ashtu nuk ka pasur transaksion bankar e as bazë ligjore.
Sipas aktakuzës, i pandehuri Enes Qollumi në cilësinë e shefit të Kadastrit, e pandehura Adrijana Hoxhiq në cilësinë e kryeshefes ekzekutive dhe i pandehuri Branislav Klajiq në cilësinë e drejtorit të Drejtorisë së Urbanizmit dhe Kadastrit, pa bërë verifikimin e pronës dhe pa shikuar se a është i gjithë dokumentacioni në rregull, pra pa shikuar se a ka dosje të aplikimit apo jo e nënshkruajnë vendimin, me të cilin Kucanoviqit i regjistrohet e drejta e pronësisë në regjistrin e paluajtshmërive mbi banesën që gjendet në Mitrovicë, në emër të Veselin Kucanoviqit
Aktakuza thotë se sipas aktvendimit mbi shqyrtimin e trashëgimisë, e njëjta banesë është trashëguar nga Orhan Hoxhaxhiku, i cili me kërkesën e 15 majit 2015 ka kërkuar regjistrimin e të drejtës së pronësisë për banesën e lartcekur. Me këtë, thuhet se Kucanoviq përfiton dobi pasurore për vete, kurse të dëmtuarit Hoxhaxhiku i shkaktohet dëm.
Në aktakuzë thuhet se e pandehura Hoxhiq e përpilon dhe nënshkruan konfirmimin e 10 dhjetorit 2018, ku theksohet se Komuna e Mitrovicës-Veri nuk është e interesuar në blerjen e banesës së lartcekur, me të cilin veprim ia mundëson Kucanoviqit që t’ia shet banesën e lartcekur të dëmtuarit Dejan Markoviq më 18 janar 2019.
Me këtë, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, par. 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal