Kurti përkujton me homazhe të vrarët në masakrën e Dubravës: Të 116 të vrarët janë e vërteta dhe akuza më e fuqishme

by Nexhat

Në 25-vjetorin e masakrës në burgun e Dubravës, Kryeministri Albin Kurti, ka përkujtuar me homazhe të vrarët në mënyrë mizore në masakrën e Dubravës.

Pranverën e majit, nga 19 e deri më 24 maj të vitit 1999, u vranë e u masakruan 116 të burgosur dhe një u zhduk, nga 980 sa ishin grumbulluar në burgun e Dubravës. Prej tyre 771 i mbijetuan kësaj masakre,  ndërsa 185 mbetën të plagosur  nga forcat  serbe

banner

Kurti ka thënë se secili prej të burgosurve shqiptarë që ishin në burgun e Dubravës në ato ditë të majit të vitit 1999, është dëshmitar i historisë dhe dëshmitar i së vërtetës së Kosovës.

 “Kryeministri theksoi se i zhdukuri në këtë masakër, që është politikani dhe ideologu politik i çështjes sonë kombëtare Profesor Ukshin Hoti, është e vërteta e shkruar dhe e jetuar e fatit politik të shqiptarëve nën Serbi. Është e vërteta e mijëra të zhdukurve me dhunë nga Serbia, prej të cilëve 1597 janë ende të pagjetur”, thuhet në njoftimin e ZKM’së.

Ndër të tjera, ai përmendi edhe tri gjeneratat që përfshijnë të burgosurit politikë përgjatë tri dekadave, gjatë viteve ’50-të, ’60-të, e të viteve të ’70-të; gjenerata e dytë, e quajtur edhe Brezi ’81, që përfshinë të burgosurit politikë pas demonstratave studentore të vitit 1981, si dhe gjenerata e tretë e viteve ’90-të, duke përfshirë edhe të burgosurit gjatë luftës.

“Këtu bëj pjesë dhe vetë unë, që bashkë me shumë prej jush që jeni sot këtu dhe me shumë të tjerë, u arrestova, u burgosa dhe u mbajta peng lufte, ndërkohë që edhe u gjykova në Nish në një proces politik nga autoritet e regjimit kriminal të Serbisë”, shtoi kryeministri.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

E nderuara, znj.Saranda Bogujevci, nënkryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës

E nderuar, znj.Albulena Haxhiu, Ministre e Drejtësisë

I nderuar Enver Dugolli, deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës,

I nderuar Nait Hasani, ish i burgosur politik, ish-deputet e ambasador,

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës,

Të nderuar zëvendësministra,

Të nderuar ish të burgosur politikë

Të dashur familjarë të të vrarëve, të dëshmorëve dhe të mbijetuarve të masakrës së Dubravës,

Të nderuar të pranishëm,

Zonja dhe zotërinj,

Motra dhe vëllezër,

Edhe tri javë mbushet një çerekshekull nga mesi i muajit qershor të vitit 1999, kur Kosova u çlirua nga Serbia okupatore, pushtuese, pas një rezistence të gjatë dhe një lufte çlirimtare me mijëra viktima dhe dëshmorë. Sot u bënë 25 vite prej masakrës së kryer këtu, në burgun Dubravës. Prej 19 deri më 24 maj 1999, nga rreth 980 të burgosur shqiptarë sa ishin grumbulluar këtu, 116 të burgosur u vranë dhe një u zhduk. 771 të burgosur mbijetuan, prej të cilëve 185 ishin të plagosur

Secili prej të burgosurve shqiptarë që ishin këtu në burgun e Dubravës në ato ditë të majit të vitit 1999, është dëshmitar i historisë dhe dëshmitar i të vërtetës të Kosovës. E kjo e vërtetë në vetvete është aktakuzë para drejtësisë dhe historisë, ndaj shtetit të Serbisë, për përgjegjësitë që ka për të kaluarën e saj kriminale në Kosovë. Të 116 të vrarët që u janë skalitur emrat këtu në këtë memorial, janë e vërteta dhe akuza më e fuqishme për masakrën e Dubravës. I zhdukuri në këtë masakër, që është politikani dhe ideologu politik i çështjes sonë kombëtare Profesor Ukshin Hoti, është e vërteta e shkruar dhe e jetuar e fatit politik të shqiptarëve nën Serbi. Është e vërteta e mijëra të zhdukurve me dhunë nga Serbia, prej të cilëve 1597 janë ende të pagjetur. 185 të burgosur të plagosur nga 771 të mbijetuar gjithsej, janë e vërteta mes njerëzish të gjallë që ishin dëshmitarë të masakrës së Dubravës, e vërteta që ende flet dhe dëshmon, sikurse këtu sot.

Gjatë këtyre 25 viteve, historinë dhe skenarët e masakrës së Dubravës i kemi lexuar në libra, i kemi dëgjuar nëpër intervista dhe në biseda private, nga qindra të burgosur që shpëtuan. I kemi lexuar dhe dëgjuar nga Asllan Selimi, nga Enver Dugolli, nga grupi i Gjakovës me 143 të burgosur, nga Nait Hasani, e nga Selim Lokaj, nga Liburn Aliu, e nga Bajrush Xhemajli, nga Hajredin Hyseni, nga Raif Qela, Bislim Zogaj, Gjergj Karaqi, Isak Shabani, Riza Mehmeti, Naser Shporta, Istref Hasani, nga Avni Klinaku, nga Avdi Mehmeti, nga i mbijetuari Rasim Selmanaj, nga Avdyl Jetishi, Frashër Shabani, Blerim Camaj, Sadik Zeqiri, Filip Pjetri, nga Besim Zymberi, Ismet Mahmuti, Enver Berisha, Demë Batusha, Shaban Beka, nga Bilbil Duraku dhe shumë e shumë të mbijetuar të tjerë. Të gjithë këta të mbijetuar me dëshmitë e tyre, janë dëshmitarë potencialë në një proces gjyqësor të drejtë dhe të domosdoshëm, me dëshmi dhe aktakuza të provuara ndaj urdhërdhënësve dhe urdhërkryerësve të masakrës së Dubravës

Gjatë shekullit të XX, Kosova është pushtuar dhe ripushtuar disa herë nga Serbia: fillimisht në vitin 1912-1913 gjatë Luftës së Parë Ballkanike, pastaj më 1918 në fund të Luftës së Parë Botërore, mandej edhe në vitet 1944-45 në fund të Luftës së Dytë Botërore dhe në një trajtë më specifike përsëri më 1989, kur suprimohet edhe autonomia që kishim.

Të përfshirë kundër vullnetit të tyre politik nën Serbi dhe nën Jugosllavi, shqiptarët e Kosovës ishin komuniteti etnik më i shtypur politikisht, më i shfrytëzuar ekonomikisht, më i diskriminuar dhe më i nënpërfaqësuar në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore. Në rrugën e gjatë tonën gjatë asaj periudhe gjysmëshekullore deri më 1999, të mbushur me aq shumë aktivistë politikë dhe organizata ilegale, me demonstrata dhe beteja, ne, shqiptarët e Kosovës kemi pasur tri gjenerata të tëra të burgosurve politikë.

Gjenerata e parë e quajtur edhe gjenerata e ’68-ës, përfshinë të burgosurit politikë të tre dekadave: gjatë viteve ’50-të, ’60-të e të ’70-të; gjenerata e dytë, e quajtur edhe Brezi ’81, përfshinë të burgosurit politikë pas demonstratave studentore të shndërruara në gjithëpopullore në vitin 1981; kurse gjenerata e tretë është ajo e viteve ’90-të, duke përfshirë edhe të burgosurit gjatë luftës, ku gjejmë të burgosur nga të dy gjeneratat paraprake të të burgosurve politikë. Këtu bëj pjesë dhe vet unë, që bashkë me shumë prej jush që jeni sot këtu dhe me shumë të tjerë, u arrestova, u burgosa dhe u mbajta peng lufte, ndërkohë që edhe u gjykova në Nish në një proces politik nga autoritet e regjimit kriminal të Serbisë.

Në gjysmën e dytë të shekullit XX, shqiptarët i mbajtën gjithsej mbi 666 shekuj burg anembanë kazamateve të Jugosllavisë.

Në maj të vitit 1999 Serbia i grumbulloi të burgosurit në Dubravë të Istogut për një skenë krimi të përgatitur tashmë.

Sot, teksa e përkujtojmë masakrën e Dubravës në 25 vjetorin e saj, flas para jush si Kryeministër i Republikës së Kosovës dhe si njëri prej jush. Jemi mijëra të burgosur politikë e të marrë peng si rob lufte nga Serbia e Millosheviqit, bashkëpunëtorët pasardhës dhe trashëgimtarët politikë të së cilës, në Beograd i vazhdojnë politikat antishqiptare dhe anti-Kosovë, kundër fqinjësisë së mirë dhe paqes në rajon.

Për masakrën e Dubravës kemi dëgjuar së pari në burgun e Lipjanit, ku kam qëndruar nga 2 maji deri më 10 qershor 1999, bashkë edhe me të mbijetuar të kësaj masakre. Pastaj kemi dëgjuar rrëfime edhe në burgun e Pozharevcit dhe të Nishit nga të tjerë të dëshmitarë, gjatë vitit 1999 e deri më 2001

Shteti ynë, Republika e Kosovës, do të gjejë rrugë dhe mënyra, për të dëshmuar sërish e përsëri, sikur sot, sikur vitin e kaluar, sikur që e kemi bërë gjatë këtyre 25 viteve, për të vënë drejtësi dhe për të vërtetën aq të rëndësishme të historisë, të sakrificës dhe të qëndresës së popullit tonë. Sot e n’mot, për çdo mot, sa të jemi gjallë dhe ndër breza përgjithmonë!

Lavdi të rënëve të masakrës së Dubravës dhe të gjithë të rënëve në rrugën e gjatë e të vështirë të Kosovës për liri!

Falemnderit!

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy