Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykimin dënues ndaj dy të miturve për vrasjen e 18 vjeçarit nga Podujeva, Lulzim Fejzullahu.
Dy të pandehurit janë dënuar me 19 vite burgim së bashku, ku njëri prej tyre është dënuar me 10 vjet kurse tjetri me 9.
Axha i viktimës Rrahim Fejzullahu, nuk e priti mirë këtë vendim. Ai tha se plagën e ka ende të hapur, .
Lulzim Fejzullahu ishte rrahur brutalisht më 14.01.2024 në Podujevë.
Sipas raportit policor të datës 15.01.2024, ai fillimisht kishte pranuar tretman mjekësor në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë dhe më pas ishte dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.
Në këtë raport gjithashtu u tha se “njësiti policor në vendin e ngjarjes ka konfiskuar një thikë dhe një veturë. Gjashtë ditë më vonë, më 20.01.2024, Lulzim Fejzullahu vdiq në QKUK.
Prokuroria, rastin fillimisht e kishte iniciuar si “vrasje në tentativë”, e më pas është ricilësuar në “vrasje”.
Sipas Prokurorisë, dy të miturit e kishin goditur 18-vjeçarin me shkop, duke shkaktuar lëndime trupore, ku si pasojë e këtyre lëndimeve të marra, viktima ishte dërguar në QKUK.