Nami i mirë në Itali na ka dalë e kurioziteti edhe më i fortë nga turistët e vendit fqinj, po vijon edhe këtë vit. Emi, Letizzia dhe Irene, tri vajza të reja nga jugu i Italisë na tregojnë edhe mbi “joshjen shqiptare” që po krijon një “pushtim të dytë” italian.
“Kemi paguar vetëm 30 euro biletë vajtje-ardhje. Ne kemi shumë miq italianë e shqiptarë që kanë qenë këtu më herët dhe kjo na shtyu të vinim”, shprehet Emi, turiste italiane nga Katania.
“Jemi shumë afër dhe çmimet janë shumë të lira. Që nga mishi, kafja, por edhe akomodimi nuk kushtojnë shumë. Me përjashtim të benzinës që është goxha shtrenjtë”, thotë Irene, turiste italiane nga Pisa.
Të dhënat nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit tregojnë se vetëm në tre muajt e parë të vitit vendin e vizituan mbi 190 mijë pushues italianë. Në raport me janar-marsin e një viti më parë, Shqipërinë e vizituan gati 81 mijë apo 56 për qind më tepër italianë.
“Deri 3-4 vite më parë te ne ka ekzistuar një perceptim jo fort pozitiv për Shqipërinë. Po kur e shikon vetë, kupton që veçanërisht njerëzit janë miqësorë”, thotë Fabrizzio, turist italian nga Pisa.
Por italianët, ashtu si edhe për turistë nga vende të tjera… kanë edhe ankesa.
“Problem kryesor unë has orientimin. Në Google Maps shpesh ngatërrohesh. Me euron gjithashtu shohim se është zhvlerësuar shumë”.
“Duhet të kesh para kesh gjatë gjithë kohës. Jo të gjitha dyqanet, baret apo restorantet të lejojnë të paguash me kartë.”
Të dhënat nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit tregojnë se vitin e shkuar Shqipërinë e vizituan gati 951 mijë italianë, 56 për qind më tepër se në 2022-shin.
Turistët nga Italia vitin e shkuar përbënë 9.4 për qind të totalit të atyre që vizituan vendin./A2cnn