Pas veprimeve të fundit të ndërmarra nga Policia e Kosovës për mbylljen e gjashtë filialeve të Bankës së Kursimeve Postare në veri të vendit, komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash, ka takuar krerët institucionalë të Kosovës. Si rrallëherë më parë, komandanti i KFOR-it brenda një dite ka takuar presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti, Ministrin e Brendshëm Xhelal Sveçla dhe ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
Në komunikatat e institucioneve të Kosovës nuk është përmendur fare çështja e veprimeve policore në veri, e cila është kritikuar ashpër nga SHBA-ja dhe BE-ja, ndërsa në njoftimet e KFOR-it fokusi kryesor ka qenë të kjo çështje.
Në njoftimin e KFOR-it, ku tregohet për takimin e Ulutashit me kryeministrin Kurti, kjo forcë ka kërkuar të ndalet veprimet e njëanshme që mund të përkeqësojnë situatën në veri.
“Gjeneralmajor Ulutaş vuri në dukje se veprimet e njëanshme që mund të përkeqësojnë tensionet duhet të shmangen dhe se duhet të ruhet koordinimi i duhur midis të gjitha palëve të interesuara”, është thënë në komunikatën e KFOR-it.
“Ai gjithashtu përsëriti përkushtimin e palëkundur nga i gjithë personeli i KFOR-it për të vazhduar zbatimin e mandatit të misionit të OKB-së për të siguruar një mjedis të siguritë; dhe ai përsëriti mbështetjen e plotë të NATO-së për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja në mes Beogradit dhe Prishtinës, si mënyra e vetme për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura, për të mirën e të gjitha komuniteteve”, është thënë në njoftimin e KFOR-it.
Institucionet vendore nuk ofrojnë shumë detaje për takimet
Në njoftimet për media të Presidencës, Kryeministrisë dhe të Ministrisë së Mbrojtjes nuk është përmendur fare se në këto takime është folur për çështjeve e veprimeve të njëanshme në veri.
Në komunikatën për media të Presidencës është thënë se në takim është folur vetëm për zhvillimet e fundit.
“Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në fushën e sigurisë, me ç’rast Komandanti ka prezantuar vlerësimet e situatës së sigurisë në vend nga ana e KFOR-it, si dhe e ka njoftuar Presidenten Osmani për veprimet që po ndërmerren në këtë drejtim. Presidentja Osmani e falënderoi Komandantin e KFOR-it, për angazhimin e tij personal, si dhe të gjithë ushtarëve të KFOR-it, për mirëmbajtjen e paqes dhe sigurisë në vend”, është thënë në komunikatën për media të Presidencës.
“Bashkëpunimi ndërmjet Republikës së Kosovës dhe misionit të NATO-s në Kosovë – KFOR dhe situata e sigurisë në vend ishin temat e diskutimit.Në takim u vlerësua se komunikimi dhe takimet e rregullta janë në shërbim të bashkërendimit sa më të mirë ndërmjet institucioneve të sigurisë. Kryeministri e falënderoi komandantin Ulutas për bashkëpunimin e mirë, për rolin dhe kontributin e tij dhe të KFOR-it për sigurinë dhe paqen”, është thënë në njoftimin e Qeverisë.
Komandanti i KFOR-it e ka takuar edhe ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedoncin.
Ministria e Mbrojtjes ka vlerësuar se komandanti i KFOR-it është shprehur i kënaqur me të arriturat e FSK-së.
“Ministri shprehu mirënjohje për trupat e KFOR-it dhe vlerësimin për nivelin e lartë të bashkëpunimit të deritanishëm me Forcën e Sigurisë së Kosovës, në funksion të sigurisë së vendit. Me këtë rast, gjeneralmajor Ulutaş theksoi se është i kënaqur për të arriturat e deritashme të Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe gatishmërinë për vazhdimin e koordinimit të ndërsjellë për çështjet me interes të përbashkët në kuadër të zhvillimeve aktuale dhe ndikimit të tyre në mjedisin e sigurisë”, është thënë në komunikatën e ministrisë.
Të hënën, Policia e Kosovës ka mbyllur gjashtë filiale të Bankës së Kursimeve Postare në veri të vendit që kishte vepruar ilegalisht.
Gjatë aksionit, policia ka gjetur dhe ka konfiskuar shumë para.
“Operacioni policor i realizuar sot në veri të vendit, ku u mbyllen gjashtë njësi ilegale të të ashtuquajturës ‘Bankë Postare Kursimore’, rezultoi edhe me konfiskimin e provave të ndryshme materiale siç janë; Rreth 1.600.000 euro, Rreth 74.700.000 dinar, Rreth 19.500 franga, Rreth 13.800 dollar amerikan, Rreth 40 dollar australian. Dokumentacione dhe prova relevante që ndërlidhen me rastin”, është thënë në komunikatën e policisë të hënën. Ky aksionin është kundërshtuar fuqishëm nga SHBA-ja, BE-ja dhe vendet aleate të Kosovës.