ZPS për dëshmitarin e 67-të: U ndalua e keqtrajtua nga UÇK-ja, e kanë akuzuar si mbështetës të LDK-së e tradhtar

by Nexhat

Dëshmitari: Shoh çdo natë ëndërr se çka m’ka ndodhë, as filma të dhunshëm nuk guxoj me këqyr

Gjatë dëshmisë së tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, dëshmitari i 67-të në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UCK-së, tha se për shkak të asaj që i kishte ndodhur sheh ende ëndrra.

banner

Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të viktimave Simon Laws, dëshmitari i mbrojtur tha se ka frikë të shikojë edhe filma me përmbajtje të dhunshme e po ashtu nervozohet pa arsye si pasojë e asaj se çfarë i kishte ndodhur në të kaluarën, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Ka ndikim dhe ka me pas tërë jetën si fizikisht, si emocionalisht, psiqikisht.  Unë shoh çdo natë ëndërr se çka më ka ndodhë, vijnë njerëz më mbysin. Si t’ia nisë me më marrë gjumi ëndërroj të jem. Edhe filma kur janë të dhunshëm nuk guxoj me këqyr se ma çojnë mendjen se çka kam përjetu. Fëmia kur të qesin filma unë ua ndërroj… s’kam qejf. Edhe shumë herë nervozohna pa kurgja hiq”, tha dëshmitari.

Ai gjithashtu tha se kur i kujtohet ajo që ka përjetuar, mundohet që t’iu shmanget njerëzve për tu qetësuar.

“Pa kurgja hiç, pa kurgja hiç. Veç më vjen si… më kujtohet e më vjen ajo se çka kam përjetu, më bjen në mend e hupi atë drejtimin edhe bohna nervoz. Kam qejf veç qetë. Iku shkoj në dhomë tem ose iku prej njerëzve. Më ndodhë edhe në punë, largona prej njerëzve për me u qetësu”, tha dëshmitari.

ZPS për dëshmitarin e 67-të: U ndalua e keqtrajtua nga UÇK-ja, e kanë akuzuar si mbështetës të LDK-së e tradhtar

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka filluar dëshminë dëshmitari i 67-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), i cili është i mbrojtur dhe mban kodin W04305 në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Ky dëshmitar po dëshmon përmes video-lidhjes. Sipas përmbledhjes së lexuar nga prokurori Nathan Quick, ky dëshmitar është shqiptar i Kosovës, i cili nga UÇK-ja ishte akuzuar si mbështetës i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe tradhtar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Dëshmitari që është shqiptar i Kosovës është keqtrajtuar, rrahur, marrë në pyetje dhe ndaluar nga anëtarë të UÇK-së në pranverë dhe verë të vitit 1998. Anëtarët e UÇK-së e kanë akuzuar atë si mbështetës të LDK-së, si tradhtar dhe kolaboracionist. Dëshmitari është keqtrajtuar dhe është mbajtur i ndaluar bashkë më të tjerë në pranverë dhe verë të ‘98-ës”, tha prokurori.

Dëshmitari tha se qëndron pas deklaratave të mëhershme dhe se të njëjtat gjëra do t’i dëshmonte në rast se do të pyetej sërish.

Më kërkesën e mbrojtjes, u pranuan si prova materiale deklaratat e dëshmitarit të dhëna më herët pranë organeve të drejtësisë së bashku me materialet përcjellëse.

Pas Prokurorisë, me pyetje për dëshmitarin filloi mbrojtësi i viktimave Simon Laws, i cili tha se nuk do ta pyeste atë për përjetimet e tij kur kishte qenë i ndaluar, pasi sipas tij trupi gjykues ka vendosur që ato të merren vetëm me shkrim.

Laws tha se do të fokusohet për pasojat që ka tashmë dëshmitari nga ai ndalim në 1998-ën.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy