Sali Berisha, teksa fliste edhe këtë mbrëmje nga dritarja e banesës së tij, ku ndodhet nën arrest shtëpie me akuzën për korrupsion, reagoi sërish për sulmin ndaj avokatit të tij Sokol Mëngjesi.
Ndërsa policia ka sqaruar të gjithë dinamikën e ngjarjes, dhe ka identifikuar autorët të cilët e goditën avokatin për shkak të detyrës, konkretisht pas një gjyqi që ai i kishte përfaqësuar, për çështje pronësie, Berisha tha se ai “është një luftëtar i të vërtetës dhe se pagoi sot betejën e tij për ligjin”
“Sot krimi i mbështetur, i mbrojtur, i fuqizuar nga qeveria e krimit, goditi një prind tek dërgonte fëmijën në kopsht. Goditi një akademik, profesor. Goditi një qytetar me integritet. Një njeri të virtytshëm, një shërbëtor të shkëlqyer të qytetarëve të vendit. Goditi profesor Sokol Mëngjesin”, tha Berisha
Berisha tha se Sokol Mëngjesi është nga ata intelektualë që studioi jashtë, por u kthye t’i shërbejë vendit të vet dhe qytetarëve të tij.
“Tu shërbejë atyre me dinjitet. Ai është një personalitet në botën akademike shqiptare. Një specialist i shquar në fushën e tij. Por ai është një luftëtar i të vërtetës dhe ai pagoi sot betejën e tij për të vërtetën, për ligjin, për të drejtën”, tha ai.
“Duke i uruar shërim të plotë profesorit të nderuar, Sokol Mëngjesi, i deklaroj Edi Ramës dhe Taulant Ballës se ky është një sulm direkt kundër opozitës. Se do mbajnë çdo përgjegjësi për këtë akt kriminal të shëmtuar. Për këtë skenar të stisur!”, tha Berisha
“Se sot ke goditur një avokat të të vërtetës që të demaskoi ty para shqiptarëve dhe botës me farsën e dosjes tënde ndaj kundërshtarit politik, Sali Berisha. Që të hoqi çdo maskë para shqiptarëve dhe botës të një kryeministri bandit që nuk ke ligj, Kushtetutë dhe moral, por që je një kriminel në krye të protektoratit të krimit në Shqipëri”, tha Berisha.