Më 3 prill të vitit 2024, Kiks Kosova raportoi për asfaltin që u bë problem i madh për banorët e fshatit Budrikë e Epërme në Viti.
Kjo rrugë, e cila është projekt i Ministrisë së Infrastrukturës, ka kushtuar 5 milionë euro dhe financuesi kishte thënë që ishte përfunduar, por banorët kishin raportuar te Kiksi se në fakt rruga ishte shtruar keq dhe pa plane.
Sipas tyre, niveli i rrugës së re ishte rreth 52 cm më poshtë se ai që ishte më parë, duke dëmtuar bizneset e asaj ane.
Alban Hyseni, i cili është njohës i inxhinierisë së ndërtimtarisë rrugore, thoshte që e dinte mirë që projekti i rrugës Viti – Kllokot – Gjilan nuk ishte në rregull.
Mirëpo, edhe pse kaluan disa javë që nga ky rrëfim, banorëve të kësaj ane ende nuk iu bë asnjë zgjidhje.
Megjithëse pas raportimit të Kiksit, Ministria e Infrastrukturës u vu në lëvizje, madje u dha atyre edhe një premtim.
Por ky gëzim nuk zgjati edhe shumë. Ngase një përgjigje përmes telefonit, i shoi shpresat e tyre.
Dhe tanimë nuk iu mbeti zgjidhje tjetër, përpos që nënshkrimet e 25 qytetarëve që janë kundër asaj rruge, t’i nisin për në njërën prej zyrave të Ministrisë së Infrastrukturës.
Ndërsa nga Ministria e Infrastrukturës thonë që kjo kërkesë shumë shpejt do të shqyrtohet.
Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, përmes telefonit, për Kiks-in, tha që kërkesën e banorëve të fshatit Budrikë e Epërme e ka pranuar dhe deri në fund të javës do të ketë një përgjigje se çka mund të bëhet për këtë rrugë.
Mbetet të shihet nëse Ministria e Infrastrukturës do të zgjidhë problemet e kësaj rruge, pasi banorët e këtij fshati kanë paralajmëruar se do të kërkojnë reagimin e ministrisë, edhe përmes protestave nëse është e nevojshme.